Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë javëve të fundit institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar një numër të madh informacionesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe veprimtari të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e tilla, sipas tyre, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë dhe pavarësinë institucionale të vendit.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me procesin e votimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se institucionet relevante po vazhdojnë trajtimin e informacioneve të tjera dhe monitorimin e situatës në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në fund, u është bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm dhe pa presion, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kërcënimit, shantazhit apo ndërhyrjes së paligjshme në procesin zgjedhor.










