Autoritetet serbe kanë lëshuar një fletarrest ndaj Dylot Brahimit, zyrtar i Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht gjyqtar futbolli në Superligën e Kosovës. Masa është marrë të shtunën dhe lidhet me një incident të ndodhur në veri të Mitrovicës, ku një grup maturantësh shqiptarë kishin festuar përfundimin e shkollës me flamuj kombëtarë dhe këngë në sheshin “Car Llazar”.
Gjatë këtyre festimeve, janë raportuar provokime që detyruan Policinë e Kosovës të ndërhynte për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se urdhërarresti ndaj Brahimit është lëshuar me pretendimin se ai ka “sulmuar fizikisht dhe ka lënduar një nxënës serb të shkollës së mesme në atë zonë”.
Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, për shkak të funksioneve që mban Brahimi – si pjesëtar i forcave të rendit dhe si figurë publike në fushën e sportit.
Në lidhje me zhvillimet, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka mohuar kategorikisht akuzat serbe.
Sipas Sveçlës, ndërhyrja e Brahimit ka pasur qëllim parandalimin e provokimeve dhe ruajtjen e rendit publik, por “kjo është shtrembëruar qëllimisht nga autoritetet serbe” si pjesë e “propagandës së zakonshme” nga Beogradi.








