“E JETUAR” është cikli më i ri dokumentar i Pamfletit, i cili sjell në qendër të vëmendjes historitë e vërteta të njerëzve që kanë kaluar përmes periudhave të vështira, me plagë që nuk shihen, por që ndihen.
Episodi i parë hapet me historinë e Ylber Topallit, një ish-i burgosur gjatë luftës në Kosovë, por mbi të gjitha, një njeri që mbijetoi dhe sot jeton me kujtimet që kanë lënë gjurmë të thella në trupin dhe shpirtin e tij.
Një jetë që ndryshoi në qershorin e vitit 1998
Në verën e vitit 1998, Ylberi u arrestua nga forcat serbe, ndërkohë që po angazhohej në strukturat organizative të UÇK-së në rajonin e Ferizajt. Asokohe, ai ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte marrë trajnim ushtarak së bashku me të tjerë të rinj që besonin në lirinë e vendit të tyre.
Në dokumentar, ai kujton momentin e arrestimit si pikën ku jeta e tij ndryshoi përgjithmonë, një ndarje e qartë mes “para” dhe “pas”. Pas arrestimit, Ylberi u përball me një realitet të ashpër: dhunë sistematike, tortura, dhe një përpjekje për të thyer shpirtin e njeriut.
“Unë isha thjesht një djalë nga Ferizaji…”
Narrativa nuk është heroike. Nuk ka fjalë të mëdha. Në vend të tyre, dokumentari ndjek fjalët e thjeshta të Ylberit, që rikthen copëza nga kujtimet, fytyra të shokëve, zëra, britma, heshtje, dhe mbi të gjitha, frikë. Ai rrëfen një përpjekje për të shpëtuar; për t’i shpëtuar dhunës, për t’i shpëtuar burgut, për t’i shpëtuar harresës.
Në një moment vendimtar, gjatë një përpjekjeje për arratisje, ai plagoset rëndë dhe mbetet i paralizuar. Aty, në kufirin mes jetës dhe vdekjes, nis një kapitull tjetër: ai i mbijetesës.
Historia e Ylber Topallit nuk është vetëm historia e një të burgosuri apo një luftetari. Është historia e një njeriu që ka parë anën më të errët të jetës, por që ende flet për të jo me urrejtje, por me qetësi, për t’u dëgjuar e për të mos u harruar.






