Në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës është shpalosur pllaka përkujtimore e Ukë Bytyçit, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka njoftuar se shpalosja e kësaj pllake është bërë bashkë me gruan e të ndjerit, Kimeten, fëmijët Shqipen dhe Flamurin, si dhe bashkëveprimtarët politikë.
Abdixhiku thekson se Ukë Bytyçi është vendosur aty ku e meriton, pranë figurave të mëdha të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Uka është vendosur aty ku e meriton, pranë bashkëveprimtarëve të mëdhenj të kauzës kombëtare: Enverit, Xhemës, Shabanit, Ismetit e Nekibes – në Koridorin e Kujtesës,” shkruan ai.
Kreu i LDK-së ka shtuar se jeta e Ukë Bytyçit është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë dhe përkushtim.
“Jeta e tij është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë, me guxim dhe me përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e ‘81-shit, në themelimin e LDK-së, në organizimin e rezistencës, në luftën për liri në Zonën Operative të Pashtrikut, dhe në drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe për shërbimin ndaj qytetarëve,” shkruan Abdixhiku në Facebook.
Ukë Bytyçi u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje dhe respekt për figurën e tij:
“Sot, LDK-ja e nderon e kujton me mirënjohje të thellë një prej bijve të saj më të denjë, një simbol të qëndresës dhe të dashurisë për Kosovën. Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit,” përfundon postimi i Abdixhikut.









