Plane për vrasje me pagesë, krim i organizuar e kërcënime për miliona euro- Dosja e Prokurorisë zbulon planet e grupit të Demë Elshanit

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 17 korrik të këtij viti, duke goditur drejtpërdrejt rrjetin e njohur kriminal të udhëhequr nga Adem Helshani (i njohur si Demë Elshani ose “Mixha”). Dosja zbulon anatominë e një strukture klandestine që operonte me komandë nga jashtë vendit dhe zbatues lokalë në terren, e cila shtrihej kryesisht në rajonin e Pejës dhe Istogut. Përmes presioneve për miliona euro pagesa, zjarrvënieve dhe planifikimit të vrasjeve me pagesë, grupi i Demë Elshanit kishte krijuar një rrjet të rrezikshëm.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga Gazeta Insajderi, grupi i Demë Elshanit funksiononte mbi bazën e një hierarkie dhe ndarjeje strikte të detyrave përgjatë periudhës korrik 2024 deri më janar të 2025-ës. Në krye të kësaj organizate qëndronte vetë Adem Helshani (Demë Elshani), i cili nga arratia jashtë Kosovës orkestronte, financonte dhe lëshonte urdhrat për të gjitha operacionet e dhunshme.

Në terren, rolin e ndërmjetësit kyç për përcjelljen e urdhrave, koordinimin e financave dhe sigurimin e armatimit e luante Qëndrim Elshani (i cili tashmë ka statusin e dëshmitarit bashkëpunues). Ndërkaq, baza logjistike e grupit ishte vendosur në fshatin Nabërgjan të Pejës, në shtëpitë e të pandehurve Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari (që të dy në paraburgim), ku mbaheshin takimet operative dhe ruhej armatimi. Si zbatues të drejtpërdrejtë të sulmeve dhe ekzekutimeve të planifikuara ngarkohen Faruk Osaj dhe Ardian Gashi.

Veprimtaria e dhunshme e grupit të Demë Elshanit nisi të manifestohej që nga qershori i vitit 2024, kur me urdhër të organizatës, Faruk Osaj i vuri zjarrin kamionetës së të dëmtuarit B.E në Baicë të Istogut, duke i shkaktuar një dëm prej rreth 9,000 eurosh si paralajmërim me dhunë. Më pas, nga korriku i vitit 2024 deri në janar 2025, kreu i grupit Adem Helshani nisi të shantazhonte dhe kërcënonte me jetë biznesmenin Jeton Buquku për shkak të një kontesti pronësor. Përmes presionit psikik, Demë Elshani kërkoi shumën prej 1,000,000 eurosh, duke e kërcënuar viktimën me eliminim fizik dhe djegie të lokaleve të tij biznesore nëse nuk do ta paguante atë, sipas dosjes së Prokurorisë.

Shkalla më e lartë e rrezikshmërisë së grupit të Demë Elshanit u shpërfaq gjatë periudhës dhjetor 2024 – janar 2025, kur u orkestrua plani për vrasje me pagesë. Grupi përgatiti ekzekutimin e Sh.H kundrejt një pagese prej 30,000 eurosh, si dhe planifikoi vrasjen ose plagosjen e rëndë të biznesmenit Jeton Buquku dhe E.B. Kulmi i këtij operacioni kriminal u shënua më 28 dhe 29 janar 2025 në fshatin Nabërgjan, ku Leon Dizdari dhe Mentor Dreshaj i dorëzuan të pandehurit Ardian Gashi një armë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov) me municion përkatës, me qëllim kryerjen e vrasjes. Plani u ndërpre në momentet e fundit pas një ndërhyrjeje nga Policia e Kosovës, e cila arrestoi të dyshuarit dhe sekuestroi armatimin e përdorur, përfshirë edhe një pistoletë Crvena Zastava M57.

Mbështetur në këto prova, Prokuroria Speciale e ngarkon grupin e Demë Elshanit me një seri veprash të rënda penale, përfshirë organizimin e grupit kriminal të organizuar, veprimet përgatitore për vrasje të rëndë, detyrimin, shkaktimin i rrezikut të përgjithshëm, zjarrvënien dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.

Organi i akuzës i ka kërkuar Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë që t’i shpallë fajtorë të pandehurit, të vazhdojë masën e paraburgimit për Mentor Dreshajn e Leon Dizdarin, si dhe të lejohet zhvillimi i gjykimit në mungesë për vetë Adem Helshanin (Demë Elshanin), i cili vazhdon të mbetet në arrati.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit