Pishina e Gërmisë, një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët e Prishtinës, pritet të hapet sot më 8 korrik, pas një vonese të shkaktuar nga mungesa e theksuar e ujit.
Kjo vonesë është rezultat i thatësisë së madhe që ka prekur burimet e Gërmisë.
Në një njoftim për media, u informua se ngadalësimi në hapjen e pishinës ka ardhur si pasojë e kushteve klimatike të papritura.
“Ju informojmë se për shkak të mungesës së theksuar të ujit në burimet e Gërmisë, si pasojë e thatësisë së madhe, është shkaktuar një vonesë në hapjen e Pishinës së Gërmisë. Bazuar në planifikimin kohor dhe sasinë aktuale të ujit, ju njoftojmë se Pishina do të hapet për qytetarët më datën 08 korrik 2025,” thuhet në njoftimin e autoriteteve.






