Sporti ajror i Kosovës ka shënuar një moment historik.
Pilotja e paragllajdit Lisjeta Thaqi është renditur numër një në botë në kategorinë e femrave, duke e vendosur Kosovën në krye të paragllajdit të precizionit në arenën ndërkombëtare.
“Një arritje që kërkon sakrifice, disiplinë të hekurt dhe besim të palëkundur. Një sukses që nuk është vetëm personal është krenari për një komb të tërë”, thuhet në njoftimin e Shqiponjat e Kastriotit.
Ky sukses historik vjen nën udhëheqjen e trajnerit të saj, rekordmenit botëror dhe evropian Fanol Shala, i cili me përkushtim, përvojë dhe vizion ka ndërtuar një ekip kampionësh që sot po shkruajnë histori.
Nën drejtimin e Federatës Aeronautike të Kosovës, ky rezultat dëshmon se Kosova tashmë është një forcë serioze në skenën ndërkombëtare të paragllajdit.









