Ajo çfarë pini në mëngjesi mund të ketë ndikim të madh në nivelin e sheqerit në gjak.
Sipas dietologëve, zgjedhja më e mirë për mëngjes është një smoothie i balancuar mirë, sepse ndihmon në shmangien e rritjeve dhe rënieve të papritura të sheqerit në gjak, ka shkruar EatingWell.
Shumë njerëz e nisin ditën me kafe të ëmbla ose lëngje frutash, të cilat përmbajnë shumë sheqer të shtuar dhe mund të shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak.
Ndryshe nga këto, një pije e përgatitur në shtëpi apo ‘smoothie’ me proteina, fibra dhe yndyra të shëndetshme tretet më ngadalë dhe siguron energji më të qëndrueshme gjatë paradites.
“Një ‘smoothie’ ofron shumë lëngje, sidomos kur përgatitet me ujë ose qumësht bimor pa sheqer, dhe ndihmon në parandalimin e dehidratimit”, ka shpjeguar dietologia Lindsay Cohen.
Pas gjumit, trupi shpesh është pak i dehidratuar, gjë që mund ta bëjë sheqerin në gjak të duket më i lartë.
Hidratimi nuk e ul drejtpërdrejt sheqerin, por ndihmon në mbajtjen e oreksit, përqendrimit dhe zakoneve të qëndrueshme ushqimore.
Një tjetër arsye pse “smoothiet” rekomandohen është përmbajtja e lartë e fibrave.
Fruta si boronicat, dredhëzat dhe manaferrat, si dhe perime si spinaqi apo lakra, ofrojnë fibra që ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak.
“Fibra ngadalëson tretjen dhe thithjen e sheqerit në gjak, duke shmangur rritjet e forta pas ushqimit”, ka thënë dietologia Kimberly Gomer.
Yndyrat e shëndetshme janë gjithashtu të rëndësishme. Meqë “smoothiet” pihen shpejt dhe nuk përtypen, ato mund të mos japin ndjesinë e ngopjes nëse nuk përmbajnë përbërësit e duhur.
“Shtimi i yndyrave të shëndetshme, si gjalpi i arrave, farat chia ose liri, avokado apo kosi i trashë, ndihmojnë në ngopje dhe në një rritje më të qëndrueshme të sheqerit në gjak”, ka shpjeguar dietologia Serena Pratt.
Edhe proteinat janë thelbësore për një “smoothie” të mirë në mëngjes.
“Proteinat treten më ngadalë se karbohidratet dhe kur konsumohen bashkë me to, ngadalësojnë rritjen e sheqerit në gjak”, ka thënë Cohen.
Ajo ka shtuar se proteinat përmirësojnë edhe reagimin e trupit ndaj insulinës.
Opsione të mira proteinash për smoothie janë jogurti grek, qumështi i zakonshëm ose ai i sojës, si dhe pluhurat proteinike.
Përveç “smoothieve”, dietologët rekomandojnë edhe disa pije të tjera të mira për sheqerin në gjak, si ujë të thjeshtë, çaj të gjelbër pa sheqer, kafe pa sheqer (mundësisht e shoqëruar me ushqim), kafe me proteinë dhe çaje bimore.
Në përfundim, ekspertët theksojnë se nuk ka nevojë të shmangni pijet e mëngjesit, por të zgjidhni me kujdes përbërjen e tyre. Sipas dietologëve, do të keni energji më të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të sheqerit në gjak.








