Pesë vite më parë, partia që sot është në pushtet kishte propozuar dy kandidatë për president. Megjithatë, tani kur kanë mbetur më pak se 24 orë deri te zgjedhja e presidentit të vendit, ata po deklarojnë se nuk mund të propozojnë një emër tjetër dhe përgjegjësinë për këtë po ia lënë opozitës, duke thënë se ajo duhet të propozojë një kandidat.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar vetëm një emër për president, atë të Glauk Konjufcës.
Kjo qasje ndryshon nga ajo e para pesë viteve, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidatë për president, Nasuf Bejtën dhe Vjosa Osmanin.
Ndërkohë, tani nga kjo parti po thuhet se është opozita ajo që duhet të propozojë një emër, edhe pse përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se nuk kanë një kandidat, pasi nuk i kanë votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin.
Mbrëmë u shkaktua edhe një debat mes kabinetit të presidentes Vjosa Osmani dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, deklaroi se i kanë ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar për një mandat tjetër si presidente. Megjithatë, kjo deklaratë u demantua nga kabineti i presidentes.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti nuk e ka përmendur fare si opsion mundësinë që Vjosa Osmani të kandidojë edhe për një mandat tjetër.
Nasuf Bejta ishte kundërkandidati i Vjosa Osmanit në garën për president të vendit në Kuvendin e Kosovës para pesë viteve.
Por kush është Nasuf Bejta?
Ashtu si Vjosa Osmani, edhe Nasuf Bejta ishte pjesë e Listës Vjosa në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në atë kohë, Bejta ishte 60-vjeçar nga Komuna e Vushtrrisë, me përvojë disa vjeçare në arsim dhe punonte si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” në këtë komunë.
Ai është inxhinier i diplomuar, pasi ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.
Sipas asaj që kishte shkruar Vetëvendosje në atë kohë, Nasuf Bejta është një nga themeluesit e kësaj lëvizjeje.
“Nasufi do të përqendrohet që të shtyjë përpara çështje që do ta përmirësonin jetën e qytetarëve, me fokus të veçantë në qytetin e Vushtrrisë, në fshatin Smrekonicë, si dhe në zonën e Mitrovicës. Ai mbështet politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në atë të mirëqenies sociale”, shkruhej në biografinë e shkurtër të tij të publikuar nga Vetëvendosje.
Vlen të përmendet se gjatë seancës solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti nuk u përshëndet me presidenten Osmani.









