Pesë shqiptarë dënohen me gati 49 vjet burg në Britani, vodhën mbi një milion paund nga shtëpitë luksoze

Pesë shqiptarë janë dënuar me gjithsej 48 vjet e nëntë muaj burgim në Britani të Madhe, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një grup të organizuar kriminal që kreu të paktën 59 vjedhje në shtëpi luksoze në disa pjesë të vendit.

Grupi kishte vjedhur stoli ari, çanta të markave të shtrenjta, ora luksoze dhe para të gatshme, me vlerë që tejkalon një milion paund.

Të dënuarit janë Endrit Nikolli, 29 vjeç, Kristian Gropcaj, 30 vjeç, Krisjian Dedndreaj, 28 vjeç, George Pepa, 31 vjeç, dhe Sidorjan Lleshi, 26 vjeç.

Nikolli dhe Gropcaj u dënuan me nga 10 vjet burgim, Dedndreaj dhe Pepa me nga nëntë vjet, ndërsa Lleshi me 10 vjet e nëntë muaj burgim.

Sipas Policisë së Cheshire-it, grupi përzgjidhte paraprakisht shtëpitë e personave të pasur dhe përdorte shkallë për të hyrë përmes dritareve të kateve të sipërme dhe ballkoneve, ku më pas kërkonte sende me vlerë.

Hetimi nisi në tetor të vitit 2024 dhe përfshiu disa qarqe të Britanisë, përfshirë Cheshire, Derbyshire, Nottinghamshire, Staffordshire dhe Warwickshire.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 13 çanta të markave luksoze dhe 14 ora, me vlerë afro 17 mijë paundësh. Në telefonat e të dyshuarve u gjetën qindra fotografi të sendeve të vjedhura dhe mesazhe me lokacionet e pronave të shënjestruara.

Sipas hetuesve, anëtarët e grupit kishin vendosur edhe objektiva javore për sasinë e arit që synonin të vidhnin.

Në këtë rast u dënua edhe një grua britanike, Jade Tubb, 33 vjeçe, me 12 muaj burgim me kusht për dy vjet, pasi pranoi fajësinë për posedim të pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit