Një situatë e tensionuar ka ndodhur të martën në emisionin Pressing në T7, kur në studio ka eskaluar debati mes deputetit të Listës Guxo, Nezir Kraki, dhe gazetarit Parim Olluri.
Pas debatit, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, reagoi duke kritikuar televizionin, moderatorin dhe gazetarin, transmeton Telegrafi.
“Televizion rrugaç… Moderator rrugaç… ‘Analist’ mercenar rrugaç. Por me prof. Nezir Krakin kot e keni. As nuk mateni e as nuk ia dilni dot. Në mes të llumit tuaj shkëlqen dija dhe dinjiteti i tij. Marrë ju koftë”, ka shkruar Gërvalla.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar duke e konsideruar gjuhën e ministres të papranueshme.
“AGK-ja e vlerëson si të papranueshëm dhe të padinjitetshëm për postin që mban, sulmin me gjuhë të ulët të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing. AGK-ja dënon ashpër një fjalor të tillë nga një zyrtare e lartë e shtetit, që synon të minojë punën e televizionit dhe gazetarit, në një medium ku ajo vetë ka dhënë intervistë. AGK-ja i fton zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregohen të përmbajtur në reagimet e tyre publike, duke mos vazhduar me sulme frontale ndaj mediave”, thuhet në reagim.
Po ashtu, AGK-ja dënon çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që manifestohet në transmetimet e drejtpërdrejta të debateve politike.









