Një përleshje ka ndodhur sot rreth orës 09:00 në një lokal në fshatin Polac të Skenderajt, ku një person ka pësuar lëndime trupore dhe është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.
Sipas Policisë, rasti është raportuar në mëngjes dhe në ndërhyrje kishte asistuar një njësi e Trafikut Rajonal, e cila arriti të ndalojë përleshjen mes personave të përfshirë.
Gjatë incidentit është lënduar një person, i cili është dërguar fillimisht në emergjencën e QKMF-së në Skenderaj dhe më pas në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Sipas vlerësimeve të mjekut, lëndimet janë të natyrës së lehtë. Pas trajtimit mjekësor, i njëjti është intervistuar si i dyshuar në këtë rast.
Në vendin e ngjarjes, policia ka konfiskuar një armë zjarri të llojit pistoletë, një karikator me gjashtë fishekë, dy gëzhoja dhe një predhë. Mjetet e konfiskuara rezultojnë t’i përkasin të dyshuarit I.L., 48 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Njësitë përkatëse policore kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, kanë intervistuar dëshmitarët dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore.
Prokurori kujdestar është vënë në dijeni për rastin dhe ka urdhëruar inicimin e procedurave penale ndaj të dyshuarit për veprat “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.










