Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mëngjes në Vushtrri, ku një konflikt mes punëtorëve të dy kompanive private ka përfunduar me therje me thikë.
Incidenti ndodhi në rrugën “Hamdi Gashi”, në hapësirën e banesave të bardha, që po rinovohen nga kompani të kontraktuara nga Komuna e Vushtrrisë.
Gjatë punimeve, punëtorët u përfshinë në një konflikt fizik, ku u përdorën mjete të forta dhe një thikë. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar.
I dyshuari Miran Sahiti rreth 22-vjeçar dyshohet se ka therur me thikë Sherif Latifin rreth 22-vjeçar dhe Veli Hysenin rreth 22-vjeçar, duke u shkaktuar lëndime, ndërsa vetë ka marrë gjithashtu plagë nga të dy të dyshuarit e tjerë. Ai është transferuar nga Spitali i Mitrovicës në QKUK-Prishtinë, ku gjendja e tij është e rëndë sipas mjekëve.
Policia, hetuesit dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar gjurmë gjaku dhe kanë sekuestruar thikën e përdorur në rast.
Pas intervistimit të të dyshuarve dhe dëshmitarëve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Sherif Latifi është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të tjerët janë liruar dhe rasti do të procedohet në mënyrë të rregullt.









