Një tjetër ngjarje kriminale ka tronditur Shkodrën. Dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një atentat me armë armë në një prej lokaleve në qendër të qytetit. Viktimat janë Armando Pali dhe Liridon Kraja, i pari një punonjës i IMT-së Shkodër dhe tjetri, shofer i Erogen Vaso alias Brajoviç, që dyshohet se ishte edhe objektivi i atentatit. Erogen Vaso ka mbetur i plagosur, ashtu si edhe një vajzë 25-vjeçare, që punonte si kamariere në lokal.
Autori Ragip Gila është arrestuar pak momente pas krimit, në një tentativë për tu larguar. Ai është kapur në Zall Kir, teksa kishte braktisur automjetin që përdori për t’u larguar pasi kreu atentatin.
Gila, me precedentë të theksuar penal, sapo ishte liruar nga burgu. Ai u shfaq me një kaskë motorash në lokalin ku ndodhej Erogen Vaso, që duket se ishte objektivi i atentatit. Gila ka hapur zjarr me breshëri duke lënë pas një “lumë” gjaku, me dy viktima dhe dy të plagosur. Pali ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Kraja pak momente më pas në spital.
Objektivi i atentatit, Erogen Vaso mbeti i plagosur dhe sipas raportimeve është jashtë rrezikut për jetën, dhe po jashtë rrezikut është edhe vajza 25-vjeçare, e cila punonte si kamariere.
Armando Pali, një prej viktimave të ditës së sotme, gjithashtu rezulton pa precedentë penalë. Ndoshta ai ishte në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. E po kështu edhe 25-vjeçarja, e cila mbeti e plagosur, ishte në vendin e saj të punës, kur u përball me breshërinë e plumbave.
Atentati i sotëm në Shkodër është ngjarja e dytë kriminale brenda 4 ditësh në këtë qytet. Brenda 4 ditësh janë regjistruar 3 viktima dhe dy të plagosur, ndërkohë që në të dy atentatet autorët veprojnë pa pasur frikë.
Kristian Kola u qëllua në një lokal mbrëmjen e 4 shtatorit, ndërsa atentatorët u zhdukën sa hap e mbyll sytë. Viktima nuk rezulton me precedentë penalë, të paktën referuar deklaratave të policisë.
Dy ngjarjet kriminale të 4 ditëve të fundit të kujtojnë ato skenat e filmave nga Palermo e viteve ’70, kur banda apo grupe mafioze terrorizonin qytetin dhe eleminonin kundërshtarët.
Vrasës të armatosur që shfaqen me apo pa maska, qëllojnë, lenë pas viktima dhe largohen. Janë ngjarje të paralajmëruara, ndërsa policia duket e paralizuar.
Drejtori i Policisë së Shtetit, në rastin konkret Ilir Proda nuk flet, nuk reagon, edhe pse 3 qytetarë kanë humbur jetën në mes të një qyteti dhe dy të tjerë janë plagosur brenda 4 ditësh.
Në fakt, Proda duhej të ishte i pari që duhej të reagonte, qoftë edhe për të dhënë alarmin dhe të ‘zgjonte’ nga gjumi paszgjedhor policinë lokale. Heshtja nuk shton sigurinë për qytetarët, as nuk i shton besimin e tyre te Policia. Kjo e fundit nuk ka mision të numërojë viktimat, as të plagosurit, por të parandalojë krimet, aq më tepër kur cënojnë jetën.
Dikush mund të thotë se ngjarje të tilla ndodhin kudo dhe mund të ketë të drejtë, por çështja është se në Shqipëri, në rastin konkret në Shkodër, vrasësit po tregojnë se nuk kanë frikë: u mjafton një motor, një kokore dhe një armë.









