Përfundon regjistrimi i diasporës për votim: Mbi 142 mijë aplikime në KQZ

Ka përfunduar afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, proces i cili kishte nisur më 6 maj.

Sipas statistikave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë periudhës së aplikimit janë dorëzuar gjithsej 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim përmes sistemit online. Deri më tani, KQZ-ja ka miratuar 109 mijë e 696 aplikime, ka refuzuar 7 mijë e 325, ndërsa mbi 25 mijë të tjera janë ende në proces verifikimi.

Edhe këtë herë, pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve kanë zgjedhur votimin me postë si formën kryesore për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Nga numri total i aplikimeve të aprovuara, 81 mijë e 901 shtetas janë regjistruar për të pranuar pakon me fletëvotim në adresat e tyre postare jashtë Kosovës. Ndërkohë, 2,855 votues kanë zgjedhur që pakot me fletëvotim t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, kurse 24,940 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë Kosovës do të mbahet përpara ditës së zgjedhjeve në vend. Procesi i votimit përmes postës do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në ambasada dhe konsullata do të zhvillohet më 6 qershor.


Për realizimin e votimit me postë, KQZ-ja ka aktivizuar kuti postare në 23 shtete, përfshirë edhe Kosovën. Gjatë javës pritet të bëhen publike adresat ku do të vendosen këto kuti.

Sa i përket votimit në ambasada dhe konsullata, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë rishikimin final të listës së përfaqësive diplomatike ku do të organizohet procesi. Fillimisht ishte planifikuar që votimi të mbahej në 48 përfaqësi diplomatike me 70 vendvotime gjithsej, përfshirë 33 ambasada dhe 15 konsullata.

Megjithatë, rregullorja për votimin jashtë Kosovës parasheh që në rastet kur në një përfaqësi diplomatike regjistrohen më pak se 50 votues, votimi fizik nuk organizohet. Në këto raste, qytetarët transferohen automatikisht në votimin me postë dhe për këtë do të informohen nga KQZ-ja.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit