Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila tash e pesë ditë është përfshirë nga zjarri.
Kallëzimi penal u është drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Bajrami ka kërkuar një hetim të plotë për të përcaktuar përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që menaxhojnë dhe mbikëqyrin këtë deponi, duke theksuar se situata po rrezikon seriozisht shëndetin publik dhe mjedisin.
Sipas deputetes, problemet në këtë deponi regjionale nuk kanë filluar me zjarrin e fundit, por datojnë që nga përfundimi i menaxhimit të saj nga KFOR-i italian mbi një dekadë më parë. Që nga ajo kohë, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare.
“Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat, ndërsa sot, për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme,” ka shkruar Bajrami.
Aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ku aksionar i vetëm është Qeveria e Kosovës. Bajrami ka kërkuar që të hetohet jo vetëm operatori aktual, por edhe institucionet e tjera përgjegjëse ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Deputetja ka bërë thirrje që Prokuroria ta trajtojë rastin me prioritet për veprat që ndërlidhen me rrezikimin e shëndetit publik, ndotjen e mjedisit dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, duke kërkuar njëkohësisht hapa konkretë për sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë.








