Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar edhe përdhosjen e flamurit dhe monumentit të Skënderbeut në Kosovë që ka nxitur një reagim të madh.
Spahiu tha se ky është një skenar antishqiptar nga ata që duan që të nxisin konflikt dhe urrejtje mes Kosovës dhe Shqipërisë me qëllim përçarjen.
‘Ky është fillimi i një skenari antishqiptar, skandale dhe incidente të tjera kundër simboleve shqiptare do të vijojnë dhe kjo është nga shërbime të segmenteve antishqiptare. Ata po gatuajnë prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë. Sot Kosova e çliruar është më e rrënuar dhe pa integritet.
Është e paimagjinueshme që të mblidhet shumë herë kuvendi dhe të dështojë konstituimi i tij. Kosova po tregon dobësi dhe po ekspozon veten kur planeti është në 3 ose 4 vatra lufte dhe partnerët tanë nuk mund të shpenzojnë për tekat e drejtuesve shqiptarë. Ata që premtuan bashkim kombëtar nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë vënë shkrepsen. Incidente dhe skandale të tjera do të provokohen për të nxitur urrejtje edhe konflikt kundër Shqipërisë dhe Kosovës’, tha ai.








