Armend Muja nga VV ka reaguar duke i mohuar raportimet se bashkëshortja e tij është emruar Drejtoreshë në Ministrinë e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë duke përfituar nga ai, teksa deklaroi se nuk kam lejuar që ajo të përfitojë nga pozita e tij.
Muja i quajti “shpifje” raportimet e fundit, duke thënë se “faktet janë të thjeshta dhe të verifikueshme: bashkëshortja ime është në shërbim civil që nga viti 2014, përmes programit të Bashkimit Evropian “Young Cell Scheme”, shumë përpara çdo angazhimi tim politik. Ajo është Drejtore Divizioni që nga viti 2018 dhe vetëm në raste të caktuara, sipas ligjit, ka ushtruar përkohësisht detyrën e u.d. Drejtorit të Departamentit kur pozita ka qenë vakante. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana ime”.
Muja gjithashtu deklaroi se beson që raportimet e tilla janë përpjekje për ta njollosur reputacionin e tij, dhe dezinformimin e publikut.
“Narrativa që lidhet me “momentum politik” apo me “rritje të standardit të jetesës” nuk ka asnjë bazë faktike – është një përpjekje e qëllimshme për të krijuar perceptim të rremë dhe për të njollosur reputacionin tim përmes familjes sime. Këto akuza nuk janë të reja. Janë ngritur edhe në vitin 2020, kur nuk kam qenë pjesë e politikës. Sot po riciklohen me të njëjtin qëllim: dezinformimin”, tha ai.
Ai gjithashtu ftoi këdo që ka dyshime të merret me faktet siç thotë ai, të këtij emërimi, teksa njoftoi që do të ndërmirren veprimet ligjore në rast të vazhdimit të raportimeve të tilla.
“E kuptoj interesin publik për zyrtarët, por ai nuk e justifikon shpifjen dhe shkeljen e standardeve minimale të gazetarisë. Ftoj këdo që ka dyshime ta verifikojë këtë çështje – e vërteta është e njëjtë dhe e qartë.
Si parim, nuk ndërhyj në karrierën e bashkëshortes sime dhe nuk kam lejuar që ajo të përfitojë nga pozita ime publike. Shpifjet kanë pasoja. Nëse këto pretendime vazhdojnë, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore të nevojshme”.









