Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka deklaruar se vetëm në njërën nga drejtoritë komunale janë ndërmarrë 444 veprime brenda më pak se dy muajve nga emërimi i ekzekutivit të ri, duke e cilësuar këtë si shembull të “qeverisjes efikase”.
Përmes një postimi publik, ai tha se ekzekutivi komunal ka nisur një sërë veprimesh për adresimin e problemeve të trashëguara nga pushteti i kaluar, të cilat sipas tij përfshijnë uzurpimin e pronës komunale, ndërtime pa leje, shfrytëzim të hapësirave publike pa pagesë të obligimeve dhe ndërhyrje politike në zbatimin e vendimeve përfundimtare.
Sipas tij, gjendja e trashëguar përfshinte gjithashtu parkingje publike të uzurpuara, shitës ambulantë në shumë pjesë të qytetit, shfrytëzim të terasave komunale pa pagesë dhe operimin e tregut të gjelbër në rrugë e trotuare.
Por, në mesin e deklaratave, Peci ende nuk ka thënë asnjë fjalë për situatën me presidenten e vendit, me të cilën bashkarisht e themeluan Guxo-n, Vjosa Osmani.









