Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, e ka quajtur urën e re mbi lumin Ibër “ura e Albinit” në një video që e ka publikuar të martën bashkë me ministrin në detyrë të Industrisë, Hysen Durmishi.
Peci e Durmishi kanë ftuar qytetarët për datën 24 që të mblidhen për t’i ndezur dritat në këtë urë të re të këmbësorëve.
“Jemi këtu nga ura më e bukur në Kosovë, ura e Albinit, bashkë me kolegun tim ministrin Hysen Durmishi që lehtësoi jetën e qytetarëve të Mitrovicës me investimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë dhe ndërtimin e urës më të bukur në Kosovë”, ka thënë Peci në video.
Më 17 dhjetor, u përurua mbi Ibër një urë e re për këmbësorë për t’i lidhur Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut. Ishte kjo ura e dytë, pas asaj për veturat e hapur në gusht.
Megjithatë, ura kryesore mbi lumin Ibër u mbyll në vitin 1999 dhe që atëherë asnjëherë nuk është kthyer në funksionin e saj të plotë. Që nga viti 2011, ajo u hap për këmbësorë porse jo edhe për automjete – të vetmet që kalojnë mbi të janë veturat e KFOR-it.








