Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një komunikatë të publikuar më 16 shtator, PDK ka shprehur kundërshtimin ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si “të padrejtë dhe të papranueshëm”.
Sipas PDK-së, aktgjykimi përbën “një goditje të rëndë” për luftën e UÇK-së dhe për Kosovën.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka deklaruar se vendimi i sotëm nuk e ndryshon, sipas saj, historinë e luftës së Kosovës.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”, thuhet më tej.
PDK ka thënë se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes mjeteve juridike dhe në forumet përkatëse.
“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, përfundon reagimi i PDK-së.








