Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka paraqitur ndryshimet që kjo parti propozon në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Mustafa ka thënë se projektligji i dorëzuar nga PDK-ja në Kuvend nuk parasheh mbylljen e Dhomave të Specializuara dhe as ndërprerjen e rasteve apo hetimeve që janë duke u trajtuar.
“Ne nuk kërkojmë mbyllje të asnjë rasti, të asnjë hetimi”, ka deklaruar Mustafa.
Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore që propozon PDK-ja është kufizimi i mandatit të Dhomave të Specializuara në çështjet që lidhen me të gjeturat e raportit të Dick Martyt.
Për rastet e tjera që lidhen me pretendime për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, Mustafa ka thënë se përgjegjësia për trajtimin e tyre duhet t’u kthehet institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Një tjetër pikë e projektligjit, sipas deputetit të PDK-së, lidhet me shkallët e gjykimit. Ai ka shpjeguar se apeli do të vazhdonte të trajtohej në Hagë, ndërsa shkalla e tretë e gjykimit do të kalonte në kuadër të institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Mustafa ka folur edhe për rritjen e transparencës në proceset gjyqësore. Sipas tij, projektligji synon të krijojë mundësi më të mëdha për monitorimin e proceseve nga institucionet, universitetet dhe organizatat ndërkombëtare.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar që projektligji të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Ai ka thënë se kjo nismë përbën një nga prioritetet e PDK-së, duke kërkuar që debati parlamentar të përqendrohet në ndryshimet konkrete të propozuara në ligj.
Projektligji i PDK-së është dorëzuar për shqyrtim në Kuvend dhe Qeveri.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës pritet të zhvillojë sot seancën e radhës, në rendin e ditës të së cilës është edhe miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026.








