Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar një ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për takim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kërkon që çdo ftesë të konkretizohet në formë zyrtare dhe më pas të trajtohet në organet e partisë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim tha se partia e saj ka marrë pjesë në të gjitha takimet deri më tani me qëllim që të dëshmojë vullnet politik dhe të mos jetë bllokuese në proces.
“Fakti që Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë e të gjitha takimeve deri tani me të gjitha partitë politike, në këtë rast edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, pikërisht për të bërë përpjekjet tona për të dëshmuar vullnetin tonë politik që të mos jemi bllokues në situatën kur vendi do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të reja. Prandaj duke e parë që këto takime nuk kanë pasur ndonjë efekt edhe që tashmë kemi një cikël të ri të takimeve të ftuara nga zoti Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi kërkuar që ta konkretizojë ftesën dhe ne pastaj ta trajtojmë këtë ftesë në organet e partisë, në Këshillin Drejtues që është institucioni më i lartë brenda partisë dhe në Kryesinë e partisë për të marrë dhe qëndrimin përfundimtar lidhur me këtë çështje. Në të kundërtën, po e them këto takime të cilat nuk prodhojnë asgjë, është vështirë të thuhet që do të kenë efektin e tyre pa u konkretizuar tashmë sepse nuk po ndodhin për herë të parë”, tha ajo.
Deliu-Kodra theksoi se, sipas informatave që ajo ka, nuk ekziston ndonjë ftesë e re nga VV-ja, duke përsëritur qëndrimin se pa një ftesë të qartë dhe zyrtare, nuk mund të ketë përgjigje institucionale nga PDK.
“Jo, nuk po e them nuk kemi pranuar, aq sa unë kam informata nuk ka ndonjë ftesë të re dhe qëndrimin edhe për ftesën e kemi sqaruar tash e sa kohë që pa një konkretizim të qartë të ftesës e cila duhet të vijë në letër zyrtarisht, të trajtohet institucionalisht ashtu siç e meriton të kemi përgjigje institucionale si subjekt politik, unë jam e bindur që takimet të cilat kanë ndodhur tash e sa kohë nuk është që kanë prodhuar diçka. Në të kundërtën Kosova sot, po të kishte vullnet politik të zotit Kurti, Kosova do ta kishte presidentin ose presidenten e saj”, tha ajo.
Ajo shtoi se PDK-ja nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike paraprake, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit mbetet te kryeministri.
“Ne kemi thënë tash e sa kohë që nuk mund të propozohen emra pa një marrëveshje politike dhe fakti që s’kemi arritur që të kemi marrëveshje politike që propozimi t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që ne nuk kemi propozuar emra. Pra, zoti Kurti e thashë e ka të gjithë mundësinë, e ka pasur tash e sa kohë që ta zgjedhë presidentin dhe është komplet në vullnetin e tij politik nëse Kosovës do t’i japë një president ose presidente, ose vendi do të rrëshqasë në zgjedhje të reja”, tha ajo.
Duke folur për situatën aktuale në vend, ajo kritikoi qeverinë për mungesë fokusimi në çështjet ekonomike dhe sociale.
“Në të kundërtën një pushtet kaq i madh, mos harro tash e sa kohë që ta ketë prioritet qeverisjen, projektet, zhvillimin e Kosovës në kohën kur gjithçka në jetën e qytetarëve të Kosovës është rënduar, çmimet janë tepër të larta, çmimi i naftës është diçka që e ka rënduar edhe më shumë qytetarin shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike, gjendjen e rëndë që sot e ka sektori privat, natyrisht pagat e ulëta, të gjitha këto janë sfida të cilat kanë nevojë për adresim dhe Kosovës i duhen sa më parë që t’i ketë institucionet e veta. Nëse Albin Kurti ka vullnet politik që të ketë president, Kosova do të ketë institucionet e saj. Në të kundërtën kjo qasje e tij e papërfillshme ndaj partive të tjera nuk do ta çojë Kosovën askund”, tha ajo.









