Rinia Demokratike e Kosovës ka dënuar veprimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të hedhur në mbeturinat e këtij institucioni fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi.
Si reagim ndaj këtij veprimi, RDK organizoi sot një aksion simbolik, duke theksuar se ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një ish-Presidenti të Republikës së Kosovës, por edhe një përpjekje e ulët për të relativizuar dhe fshirë një pjesë të rëndësishme të historisë shtetformuese të vendit.
Gjatë aksionit, Rinia Demokratike e Kosovës vendosi një fotografi të Presidentit Hashim Thaçi, e shoqëruar me disa nga momentet kyçe të rrugëtimit të tij politik dhe shtetëror.
“Mesazhi ishte i qartë: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike të kujtdo. Kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës është i dokumentuar në sakrificë, në vendime historike dhe në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë. Rinia Demokratike e Kosovës beson se institucionet e Republikës duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike. Sepse historia e Kosovës është më e madhe se çdo përpjekje për ta fshirë atë. E posaçërisht personaliteti i Hashim Thaçit,” thuhet në njoftimin e RDK-së.









