Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, duke theksuar se ky vendim ka vërtetuar se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave, që janë gjithashtu deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.
Në një konferencë për media, Gruda tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, përbën kryerjen e veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.
Ai theksoi se Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale, një akt që, sipas tij, është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën.
“Ky vendim nuk është vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për Kryeministrin Kurti, të cilët janë gjithashtu deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ky vendim vërteton atë që ne e kemi thënë që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese,”, tha Gruda.
Ai gjithashtu theksoi se PDK do të kërkojë që Kryeministri dhe ministrat të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive dhe duke ia deleguar ato zëvendësve të tyre. Gruda kërkoi gjithashtu që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të veprojë dhe të zbatojë këtë vendim të detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin,” shtoi ai.






