Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen, në të cilin po insiston me aq ngulm PDK-ja që të procedohet me “shpejtësi drite” nga ana e Qeverisë për në Kuvend, sipas shumë ekspertëve lokalë dhe ndërkombëtarë, përveç një satisfaksioni moral dhe një sish politik, asnjë reperkusion tjetër juridik nuk duket se ka gjasa të prodhojë. Kur themi kështu, argumenti më fuqishëm që i “del” përpara këtij konstatimi janë ato të Kushtetutës “ahtisariane”, në veçanti Neni 162, që përcakton “një periudhë pesëvjeçare të përfundimit të Gjykatës”, pastaj një “mbikëqyrje parlamentare nga ana e një komisioni profesionistësh ndërkombëtarë” që nuk ka ndodhur, si edhe argumenti i gjasave që, edhe nëse miratohet nga Kuvendi, i njëjti do të kontestohet nga Dhomat e Specializuara.
Pra, kjo logjikë juridike po na thotë që Kuvendi i Kosovës nuk mund ta zhbëjë Specialen me një ligj të zakonshëm, edhe për shkakun se ajo është e ngulitur në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, është etabluar në marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian dhe është proceduar në marrëveshjen me Holandën në Hagë.
Këtu mbaron retorika dhe fillon ligji. Kush u premton qytetarëve se Specialja mund të “zhbëhet” me një votim të zakonshëm, duhet ta shpjegojë cilin nen kushtetues do ta ndryshojë, cilën shumicë do ta sigurojë, si do t’i trajtojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe çfarë do të ndodhë me proceset gjyqësore që tashmë janë në zhvillim, duke përfshirë edhe qasjen ndaj Apelit? Gjithashtu, këtu nuk duhet harruar edhe pengesën kryesore që lidhet me miratimin e 2/3-tave minoritare, ku Lista “Serpska”, më duhet të them, do insistonte pa asnjë hamendje në zbatimin e Asociacionit (një “kalë Troje”) që në mënyrë absolute do na çonte në një “Republika Serpska të Kosovës”, apo minimumi në një federalizim të çoroditur që nënkupton de facto dhe de jure kontestim dhe rrënim të gjithë arkitekturës shtetërore të Republikës.
Dhe nëse tani përpiqemi të gjurmojmë argumente politike, duhet thënë se ato më së shumti mund t’i gjejmë në projektin e protestës. E cila shprehur me gjuhën dhe frymën sociologjike, është duke përçuar një mesazh të fuqishëm në të gjitha shtresat e shoqërisë, ashtu siç u kuptua edhe në protestimin e 12 shtatorit e sidomos në këtë të fundit më 1 tetor. Ku u tha publikisht se aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së nuk atakon vetëm individët e dënuar, por edhe mënyrën se si lufta dhe historia e Kosovës do të interpretohet dhe gjykohet në memorien e brezave që do të vijnë…
Prandaj, më shumë sesa një organizim homogjen, në protesta pamë një koalicion të gjerë emocional, simbolik, po edhe sish identitar, anipse të përkohshëm, shumë të fuqishëm. Që në rrethana të tjera, nuk do të kishin domosdoshmërisht të njëjtat interesa apo qëndrime politike e ideologjike.
Inkuadrimi i studentëve në “betejën” paqësore të protestave i bëri ato edhe më atraktive, por njëkohësisht edhe mjaft enigmatike, për shkakun që kjo kategori e shoqërisë, gjatë gjithë këtij “kaosi” të kontrolluar, siç e kam quajtur unë, ishte në periferi të ngjarjeve dhe disi e heshtur dhe indiferente! Kyçja e tyre, për mua, përbën një fakt të ri në krejt këtë narrativë të kundërshtimit të aktgjykimit të Speciales dhe, në një mënyrë, na dëshmon se kujtesa e luftës nuk është vetëm një kujtesë e përvojës personale, por është edhe një kujtesë kolektive. Kjo kujtesë është transmetuar përmes përvojave dhe ngjarjeve familjare, shkollës, rrëfimeve të ndryshme, mediave dhe simboleve kombëtare, që tani po duket se po bëhen pjesë identitare e brezave që vijnë…
Arsyeja pse studentët nuk defiluan në skenën publike, që nga viti i largët 1989, në fakt nuk qëndron te ajo se ata e kanë përjetuar luftën emocionalisht, por te fakti se kjo narrativë është trashëguar nga brezi pjesëmarrës i vitit 1999. Në këtë kuptim, kujtoj se duhet shpjeguar aktivizimi i tyre si një lloj solidariteti aktiv ndërbrezor. Po ashtu, kyçja e tyre, për mua, e ka edhe kuptimin dhe porosinë e dëshmisë se plagët dhe kaptina e luftës së ndodhur nuk janë mbyllur vetëm si histori e dhimbshme, por ajo ka vazhduar të prodhojë kuptime, emocione dhe, tash me kyçjen masive, ajo, në gjykimin tim, mund të prodhojë edhe narrativë apo kauzë të re me ngjyrime ekskluzive kombëtare.
Andaj, ambicia dhe synimi i studentëve kosovarë, në rast se dëshirojnë të marrin rol domethënës dhe peshë të caktuar në “sofrën” e protestave, përveç rolit simbolik, do të duhej ta kenë edhe një projekt-propozim para këshillit inicues të protestave, ku do të adresohej me qartësi “milimetrike” roli i tyre, sidomos në sferën politike dhe atë institucionale. Që nënkupton pjesëmarrje shumë më aktive në kundërshtimin e aktgjykimit dhe solidarizim sa më të theksuar dhe, së dyti, pjesëmarrje në hartimin e kërkesës për ndryshimin e ligjit mbi Dhomat e Specializuara.
Me këto kërkesa, pjesëmarrja, po edhe përgjegjësia e studentëve, do të legjitimohej, por ndërkohë edhe do të masivizohej shumë më shumë. Sepse pjesëmarrja e tyre, përveç që do ta begatonte gjithë “arkitekturën” dhe narrativën e organizimit, ajo, në fakt, edhe do ta zgjeronte kompetencën dhe solidaritetin, si të themi, të vetë vlerave dhe trashëgimisë së luftës.

Sepse aktgjykimi përbën një vlerësim juridik në kuadër të një çështjeje konkrete politike dhe ai nuk duhet të ngatërrohet me vlerësimin e gjithanshëm historik të UÇK-së, as me rolin e saj çlirimtar dhe as me vendin që ajo do të zërë në kujtesën tonë kolektive në të ardhmen…








