Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar pas kërkesës së kësaj partie drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula për rikthimin në Kuvend të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gruda ka deklaruar se ligji nuk përmban asnjë gabim, duke theksuar se qëndron plotësisht pas çdo dispozite të tij.
Ai ka shtuar se çdo veprim i mëtejshëm duhet të synojë forcimin e drejtësisë së pavarur dhe mbrojtjen e luftës së drejtë çlirimtare, e jo largimin nga ky qëllim.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”.
“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij. Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, shkroi ai në Facebook.








