Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj akuzave të LVV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se nuk do të lejojnë delegjitimimin e institucioneve.
Ajo i cilëson sulmet e LVV-së ndaj gjyqtarëve dhe reagimin e tyre zyrtar si një rrezik për demokracinë dhe për gjithçka që është ndërtuar në vend me shumë sakrificë.
“Qëllimi i tyre tashmë është i qartë: delegjitimimi i çdo institucioni dhe i vetë demokracisë. Por kjo mendësi nuk do të kalojë. Nuk do ta lejojmë”, ka thënë Çitaku.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka komentuar reagimin e LVV-së ndaj vendimit të Kushtetueses për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Ajo ka theksuar se kur Gjykata “shpiku” 30 ditëshin shtesë për votim, sipas LVV-së nuk ishte tejkalim normash, por tani që “shpiku” kufizimin tre herë për nominimin, po konsiderohet i tillë.
“Kaq për njohuritë e tyre në llojet e interpretimit që mund t’i bëjnë Gjykatat Kushtetuese, sidomos në raste të jashtëzakonshme, kur nevojitet mbrojtja e interesit publik. S’do mend – kur juristët më të mirë i kanë ‘ekonomistët’”, ka shkruar ajo në Facebook.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.






