spot_img
spot_img
Tuesday, February 3, 2026
spot_img
spot_img

Pasqyra e një sistemi që ushqehet me militantë e servilë

  • Nga Dr. Ylli H. Mehmeti

1.
Një nga sëmundjet më të rënda të shoqërisë sot është politizimi i plotë i jetës publike. Politika ka hyrë në
çdo qelizë të përditshmërisë sonë – nga vendimmarrja shtetërore e deri tek jeta e individit të thjeshtë. Ajo
që dikur ishte mjet për të ndërtuar të mirën e përbashkët, është kthyer në mjet kontrolli, varësie dhe
përfitimi personal. Në vend të lirisë qytetare, kemi një sistem të mbyllur interesash ku mbizotëron
servilizmi, klientelizmi dhe ndërvarësia e turpshme mes pushtetit dhe qytetarit. Në këtë mjedis të përlyer,
politika nuk është më instrument për të shërbyer, por qëllim në vetvete. Ajo shihet si rrugë drejt pasurimit,
privilegjit dhe statusit shoqëror. Ata që arrijnë të kapen pas rrotës së pushtetit – përmes partive, lidhjeve
personale apo farefisnore – e shohin shtetin si pronë private. Institucionet publike duket se janë kthyer në
sfera ndikimi ku ndahen favore, jo përgjegjësi.

Ndërkohë, në fund të kësaj piramide të padrejtë, qëndron qytetari i zakonshëm – ai që mban mbi supe
gjithë peshën e sistemit, por përfiton më pak nga të gjithë. Një pjesë e tyre kënaqen me një vend pune
minimale, shpesh herë me kontrata mbi vepër , vetëm për të mbijetuar. Ironikisht, pikërisht këta bëhen më
besnikët e partive , militantët e bindur që brohorasin fort, sepse jetesa e tyre varet nga mëshira e pushtetit.
Ata janë pak, por bërtasin shumë. Zëri i tyre krijon iluzionin e një shumice, ndërsa në të vërtetë janë
thjesht jehona e një sistemi që ka mësuar të shpërblejë bindjen dhe të ndëshkojë mendimin e lirë. Dhe
derisa kjo të ndryshojë, politika do të vazhdojë të mbetet terreni ku liria është vetëm fjalë, ndërsa njeriu i
lirë – përjashtim.
2.
Në këtë kaos politik ekziston edhe një specie e veçantë, e heshtur, por jashtëzakonisht jetëgjatë: servilët
oportunistë. Ata nuk mbajnë kurrë pozicion publik, nuk rrezikojnë asgjë, por janë gjithmonë gati të
mbështeten tek kushdo që mban pushtetin. Për ta, pushteti nuk është vizion apo bindje – është thjesht
strehë dhe burim përfitimi.
Rreziku i tyre qëndron pikërisht te butësia që shfaqin. Duken të padëmshëm, të “urtë”, por në të vërtetë
janë mjeshtra të përkuljes. Ndryshojnë ngjyrat si kamaleonë sa herë ndryshon qeveria. Sot të apasionuar,
nesër “të matur”, por gjithnjë pranë timonit. Ata nuk ndërtojnë asgjë me vlerë, sepse gjithë energjinë e
harxhojnë për të ruajtur ekuilibrin mes heshtjes dhe nënshtrimit, mes lojalitetit dhe konformizmit.
Këta njerëz janë bërthama e asaj që Gramsci e quante hegjemoni kulturore: një rrjet burokratësh dhe
pseudo-intelektualësh që s’e kritikojnë pushtetin, por e justifikojnë. Në vend që të sfidojnë padrejtësitë,
ata i mbulojnë; në vend që të jenë motor ndryshimi, bëhen mburojë e status quo-së. Kështu, servilët
oportunistë nuk janë thjesht përfitues të sistemit – janë arkitektët e heshtur të mbijetesës së tij. Në fund,
ata mishërojnë një simptomë të dhimbshme të shoqërisë sonë: mungesën e integritetit dhe frikën e
vazhdueshme nga përjashtimi. Duke zgjedhur gjithmonë “anën e duhur”, kanë harruar se çfarë do të thotë
të jesh në anën e drejtë.

3.
Kategoria më e dhimbshme e këtij realiteti janë të dëshpëruarit – njerëzit që nuk gjejnë vend në asnjërën
prej skemave të politizuara që po gërryejnë shoqërinë. Të lodhur nga militantët, të neveritur nga servilët
dhe të përjashtuar nga çdo mundësi reale, ata shohin vetëm një rrugë: ikjen.
Emigrimi nuk është më zgjedhje, por refleks mbijetese. Shifrat flasin vetë: popullsia po tkurret me ritme
të frikshme, fshatrat boshatisen, shkollat mbyllen. Kjo nuk është vetëm krizë demografike – është krizë
shpirti, krizë besimi. Është ajo që Camus paralajmëronte: një shoqëri që e pranon padrejtësinë si
normalitet është e dënuar të shpërbëhet nga brenda.

Kosova sot po rrezikon pikërisht këtë shpërbërje të heshtur. Nëse nuk e çlirojmë jetën publike nga
politizimi mbytës dhe nuk rikthejmë besimin te puna, dinjiteti dhe meritokracia, atëherë s’do të humbasim
vetëm qytetarët – do të humbasim shpresën. Dhe humbja e shpresës është goditja më e rëndë që mund t’i
ndodhë një vendi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit