Everesti, maja më e lartë e botës me një lartësi prej 8848 metrash, është shkelur nga shqiptari i Kosovës Petrit Kllokoqi, sipërmarrës dhe kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, i cili këtë të martë, më 19 maj, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Everesti.
Në lidhje direkte nga Everest Base Camp, ai e përshkroi këtë eksperiencë 45 ditore si një nga më të paharrueshmet e jetës së tij, duke përfshirë edhe faktin që kjo ekspeditë konsiderohet si një nga më të rrezikshmet, pasi njerëzit që e ndërmarrin këtë iniciativë mund të humbasin edhe jetën gjatë rrugës.
“Everesti është një risk shumë i madh sepse çdo vit humbasin jetën 10-30 persona gjatë ekspeditës. Fatkeqësisht, prej grupit tonë tre vetë humbën jetën gjatë kësaj ekspedite, pasi akullnajat u shembën dhe është shumë e rrezikshme. Njëri ishte 24-vjeçar dhe nuk ishte i lidhur. Shpresoj të mos kemi më humbje jete sepse është shumë e rëndë, sepse ke për të kaluar edhe nëpër trupa të vdekur, të cilët janë të ngrirë dhe të mbetur aty, sepse nuk depërton helikopteri për t’i tërhequr trupat.”, u shpreh ai për emisionin “Rudina”, në TV Klan.
Kllokoqi e konsideroi ngjitjen në majën më të lartë të botës si një dhuratë për kombin shqiptar, për ta çuar flamurin në pikën më të lartë të Tokës.
“Jam nisur për flamurin, por kur kam mbërritur nëpër pika shumë të rënda, të them të drejtën, shikoja në telefon vajzën time dhe thoja pse po ia bëj këtë, por kur e shihja nga ana tjetër flamurin, të cilin e mbaja në gjoks dhe dëgjoja këngë patriotike, nuk doja të dorëzohesha deri në majë.”
Ai u shpreh se kjo ishte sfida më e vështirë që ka pasur në jetë, sepse sipas tij duhet të jesh i përgatitur fizikisht dhe shumë më i përgatitur mendërisht.
“Ajo që mëson nga këto ekspedita është se kur kthehesh në vendin tënd, ia di vlerën oksigjenit, pasi aktualisht ndodhem me 40-45% oksigjen më të ulët se atje, ndërsa në pikën më të lartë oksigjeni është 80% më i ulët. Ti kupton vlerën e jetës, pasi mbi 7 mijë metra hyn në zonën e vdekjes, ku na është dashur të përdorim maska oksigjeni.”
Ai përmendi se për ngjitjen në Everest i është dashur një fazë përgatitore që përfshinte ngjitjen në male në Shqipëri, Kosovë, Europë dhe në Afrikë, Kilimanxharo.
“Më është dashur që për një vit të lë komplet alkoolin dhe për 60 ditë të lë duhanin. Më është dashur të merrem me familjen, për t’i përgatitur nga ana psikike, sepse kjo është ngarkesë edhe për familjen. Ngjitja në Everest nuk fillon kur vjen në Nepal, por fillon që në familje.”
Më herët, Petrit Kllokoqi ka realizuar edhe ngjitjen në Mont Blanc, një nga majat më të larta dhe më të njohura të Europës. Përmes kësaj eksperience, ai dëshmoi pasionin e tij për alpinizmin dhe aventurat ekstreme, ndërsa ngjitja në Everest erdhi si një tjetër hap i rëndësishëm dhe kulminant në rrugëtimin e tij drejt majave më të famshme të botës.









