Presidenti Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau kanë zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike, ku kanë folur për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësinë për shmangien e rritjes së taksave mes dy vendeve.
Sipas zyrës së Trudeau, kryeministri kanadez dhe Trump folën nëpërmjet telefonit për rreth 50 minuta këtë të mërkurë. Siç raportohet, biseda ishte “konstruktive” dhe dy liderët mund të flasin sërish sot në telefon.
Telefonata vjen pas një kthimi të jashtëzakonshëm midis dy liderëve të Amerikës së Veriut mbi një luftë tregtare që po lulëzon. Trump ka deklaruar se do të vendosë një taksë prej 25 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Kanadaja, ndërkohë që Trudeau është zotuar që t’i përgjigjet në të njëjtën monedhë.
Ndërkohë që nga ana e SHBA-së ka reaguar vetë Donald Trump me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku tha se kryeministri kanadez e telefonoi për ta pyetur lidhur me çështjen e tarifave.
Trump theksoi se gjatë telefonatës, Trudeau nuk i tha atij se kur do të mbante zgjedhje Kanadaja, gjë që sipas tij e bëri të dyshonte se kryeministri po përdorte telefonatën për të qëndruar në pushtet.
Më tej ai akuzoi Trudeau si fajtor për hyrjet masive të Fentanyl nga kufiri kanadez drejt SHBA-së, teksa ju drejtua atij si Guvernator i Kanadasë, duke nënkuptuar se Kanadaja do të jetë shteti i 51-të i SHBA-së.
“Justin Trudeau, nga Kanadaja, më thirri për të pyetur se çfarë mund të bëhej në lidhje me tarifat. I thashë se shumë njerëz kanë vdekur nga Fentanyl që erdhi përmes kufijve të Kanadasë dhe Meksikës, dhe asgjë nuk më ka bindur se ai i ka ndaluar. Ai tha se është bërë më mirë, por unë thashë: “Kjo nuk është mjaft e mirë.” Telefonata përfundoi në një mënyrë “disi” miqësore! Ai nuk ishte në gjendje të më tregonte se kur po zhvillohen zgjedhjet kanadeze, gjë që më bëri kurioz, si, çfarë po ndodh këtu? Më pas kuptova se ai po përpiqej ta përdorë këtë çështje për të qëndruar në pushtet. Paç fat Justin!
Për këdo që është i interesuar, i thashë gjithashtu guvernatorit Justin Trudeau të Kanadasë se ai shkaktoi kryesisht problemet që kemi me ta për shkak të politikave të tij të dobëta kufitare, të cilat lejuan që sasi të jashtëzakonshme të Fentanyl dhe të huajve të paligjshëm të derdheshin në Shtetet e Bashkuara. Këto politika janë përgjegjëse për vdekjen e shumë njerëzve”, shkroi Trump.








