I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë një deklaratë pas vizitës së tij të djeshme në Kosovë.
Ai theksoi se takimet dhe diskutimet e zhvilluara ishin të rëndësishme për avancimin e procesit të dialogut të mbështetur nga BE-ja.
Sorensen shtoi se bisedimet ishin të përqendruara në sigurimin e rezultateve konkrete për qytetarët deri në vitin 2026.
“Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Sorensen në X.
Tutje, i dërguari evropian thotë se angazhimi i vazhdueshëm i të gjitha palëve mbetet thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Kujtojmë se Sorensen gjatë të mërkurës takoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pastaj presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe tre liderët e partive opozitare në vend, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.









