Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve.
Ai ka vlerësuar se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës” dhe se “askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt.”
Krasniqi ka shtuar se PDK-ja “ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet,” duke “ofruar zgjidhje, jo bllokim” dhe duke kërkuar “respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale.”
Ai thekson se kanë përkrahur me ekspertizë dhe janë bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse “demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës.”
“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve,” tha Krasniqi, duke shtuar: “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin.”
Ai përfundoi duke bërë thirrje për bashkëpunim: “PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!”.








