Shkruan Ismet Haziri
Rezultatet zgjedhore janë pasqyra më e qartë e gjendjes së një partie politike. Kur një subjekt pëson humbje të njëpasnjëshme, përgjegjësia nuk mund të relativizohet, as të fshihet pas arsyetimeve të zakonshme. Përkundrazi, ajo duhet të pranohet me maturi dhe të shërbejë si pikënisje për ndryshim.
LDK-ja ka kaluar tri procese zgjedhore të rëndësishme – zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, zgjedhjet e brendshme të dhjetorit dhe zhvillimet politike të qershorit – pa arritur të krijojë besimin dhe mobilizimin që pritej. Në vend që këto rezultate të nxisnin një analizë të thellë dhe një reflektim serioz, është krijuar përshtypja se drejtuesit aktualë vazhdojnë të sillen sikur asgjë thelbësore nuk ka ndodhur.
Nëse brenda LDK-së ka pakënaqësi, ato nuk duhet të injorohen e as të etiketohen si zëra kundërshtues. Ato duhet të dëgjohen, të analizohen dhe të trajtohen me përgjegjësi politike. Pikërisht mungesa e debatit të hapur është një nga arsyet pse partia ka humbur energjinë, dinamizmin dhe aftësinë për të bindur qytetarët se përfaqëson alternativën që Kosovës i nevojitet.
Grupi që sot udhëheq LDK-në ka pasur kohë të mjaftueshme për të dëshmuar vizionin, aftësinë organizative dhe lidershipin e tij. Askush nuk mund të thotë se nuk i është dhënë mundësia. Përkundrazi, kanë pasur besimin e strukturave, mbështetjen e anëtarësisë dhe kohën e nevojshme për të prodhuar rezultate. Kur rezultatet mungojnë, përgjegjësia politike nuk është çështje emocionesh, por standard demokratik.
Është gabim të besohet se një LDK e dobësuar, me strukturë të lodhur dhe me rënie të vazhdueshme të besimit qytetar mund të ringrihet nga të njëjtët njerëz, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtën filozofi politike. Këmbëngulja për të mbajtur pozitat, pavarësisht rezultateve, nuk është shenjë force. Përkundrazi, është shenjë mungese vetëdijeje politike dhe refuzimi për të pranuar realitetin.
Historia politike ka dëshmuar vazhdimisht se partitë nuk dobësohen vetëm nga kundërshtarët e tyre. Shpesh ato dëmtohen më shumë nga mungesa e reflektimit të drejtuesve të vet. Nëse vazhdohet me logjikën se problemi është gjithmonë dikush tjetër, atëherë rreziku është që ata që sot mbajnë drejtimin të mbeten nesër të vetmit që do t’i fikin dritat e kësaj shtëpie politike.
Për këtë arsye, është njerëzore, morale dhe politike që drejtuesit aktualë të jenë mirënjohës për besimin, shansin dhe privilegjet që kanë gëzuar që nga zgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së. Askush nuk ua mohon kontributin, por as kontributi nuk mund të jetë arsye për t’u bërë i pazëvendësueshëm.
Tërheqja nga funksionet nuk do të ishte humbje. Përkundrazi, do të ishte akt përgjegjësie dhe respekti ndaj partisë. Kjo do të krijonte hapësirë për një debat të qetë, të sinqertë dhe gjithëpërfshirës, ku pa presione, pa etiketime dhe pa interesa personale të analizohej se pse LDK-ja nuk po arrin të rikthehet në nivelin që anëtarësia dhe elektorati presin.
Është e shëndetshme që edhe ata që kanë ushtruar funksione të provojnë të jenë për një kohë anëtarë të thjeshtë të LDK-së, pa poste dhe pa privilegje. Kjo nuk i zvogëlon politikisht; përkundrazi, i afron me bazën dhe me realitetin e përditshëm të aktivistëve që prej vitesh mbajnë gjallë partinë pa kërkuar shpërblime.
Një shembull të kulturës së përgjegjësisë politike e dha kryetari i Degës së LDK-së, Besnik Osmani, i cili përmes dorëheqjes së tij zgjodhi ta vendosë interesin e organizatës mbi interesin personal. Ky veprim hapi mundësinë për një proces rikuperimi, për analizë të dobësive dhe për ndërtimin e një drejtimi të ri. Pikërisht kjo kulturë e përgjegjësisë duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e partisë.
LDK-ja nuk ka nevojë për një garë se kush mbron më gjatë karrigen. Ka nevojë për një garë idesh, vizioni dhe përgjegjësie. Pas tri proceseve zgjedhore që nuk prodhuan rezultatet e synuara, debati nuk është më luks; është domosdoshmëri. Reflektimi nuk është shenjë dobësie, por kusht për ringritje.
Nëse LDK-ja dëshiron të rikthehet si alternativa kryesore politike në vend, duhet të fillojë nga pranimi i së vërtetës. E vërteta është se rezultatet nuk kanë qenë në përputhje me pritjet dhe se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë. Mbetet të shihet nëse ky mesazh do të dëgjohet, apo do të shpërfillet edhe një herë në emër të ruajtjes së status quo-së








