Aktorja e mirënjohur, Drande Xhaj, ishte një ditë më parë e ftuar në “E Diell”, ku foli për Teatrin në Shkodër, rolet e shumta në skenë dhe në ekran. Ajo nuk la pa përmendur edhe një histori gazmore që lidhet me skeçin e famshëm ‘Kunati i shokut Xhemal’.
“Pasi mbaroi shfaqja Xhemali na priti në shtëpi, aty ishte Enver Halili, kunati i shokut Xhemal. Motra e Enver Halilit ishte gruaja e Xhemalit. Rastisi që na priti ai aty dhe ishte afër telefonit të shtëpisë. Ne ishim ulur, Xhemali nuk kishte mundësi të zgjatej për të hapur telefonin që po binte dhe i thotë Enver Halilit. Si duket ai i ka thënë shoku Xhemal dhe ky i tha jam kunati i shokut Xhemal. Aty plasi gazi më pas.
Ideja ishte e Paulin Selimit, por ishte puna e rolit kryesor, e Zef Dedës që ishte kunati. Janë bërë shumë prova, se është shumë e vështirë të gjesh karakterin, jo të gjitha gjenden ndonjëherë. Disa prova dhe një moment Zefi e gjeti dhe të gjithë bërtitëm, e mbeti në histori”, u shpreh aktorja e mirënjohur.
Ajo foli me nostalgji për bashkëpunimet e saj me emra të mëdhenj të humorit shqiptar si Tano Banushi, Zyliha Miloti dhe shumë artistë të tjerë të njohur.
“Tano Banushi ka qenë një aktor i madh, shumë i thjeshtë. Thjeshtësia të bën edhe më madhështor. Ai kishte një arshivë në shtëpi që askush tjetër nuk e kishte. Mbante mend ditëlindjen time dhe çdo vit më sillte dhurata – një lule, një sapun. Fakti që ai kujtohej gjithmonë për mua më jepte shumë emocion”, tregoi aktorja me emocion.
“Me Zyliha Milotin kam një jetë, domethënë 47 vite me të. Kam mësuar shumë prej Zylihasë. Është mike e jashtëzakonshme, mike e mirë, e mrekullueshme, shumë e dashur. Mbrëmë deri në 02.10 unë isha në telefon me Zylihanë, i thosha kam me ik nesër në Tiranë dhe ajo nuk e mbyllte. Kishte emocione, e kishte me merak”, tha Drande Xhaj.






