Marina e Shteteve të Bashkuara ka dërguar një luftanije shtesë në Lindjen e Mesme, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan për agjencinë Reuters të enjten, në mes të rritjes së tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit.
Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka deklaruar se luftanija USS Delbert D. Black është futur në rajon gjatë 48 orëve të fundit. Me këtë zhvillim, numri i anijeve luftarake amerikane në Lindjen e Mesme ka shkuar në gjashtë, ndërsa në rajon ndodhen edhe një aeroplanmbajtëse dhe tri anije të tjera më të vogla luftarake.
Vendosja e anijeve luftarake amerikane nga rajoni i Azi-Paqësorit ka nisur në fillim të këtij muaji, në kohën kur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u përshkallëzuan pas shtypjes së protestave në mbarë Iranin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të enjten e kaluar se Shtetet e Bashkuara kishin një “armadë” që po shkonte drejt Iranit, por ka shtuar se shpresonte që ajo të mos duhej të përdorej.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje nëse Irani do të vazhdonte vrasjet e protestuesve, megjithatë protestat në të gjithë vendin janë zbutur që nga ajo kohë.








