Një ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka nominuar Presidentin Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, pas ndërmjetësimit të tij në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, të cilët ishin përfshirë në një konflikt të rrezikshëm gjatë ditëve të fundit.
Lajmi është bërë i ditur nga Fox News dhe është publikuar nga vetë Presidenti Trump në platformën Truth Social.
Përfaqësuesi republikan Buddy Carter ka dërguar një letër Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, në të cilën ai thekson se Trump pati një “rol të jashtëzakonshëm dhe historik” në përfundimin e “konfliktit të armatosur midis Izraelit dhe Iranit dhe në parandalimin e sponsorizimit më të madh shtetëror të terrorizmit në botë, duke siguruar që të mos ketë armë bërthamore”.

Në letrën e tij, Carter vlerëson gjithashtu ndikimin e Trump në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit, duke e quajtur atë thelbësor për sigurimin e paqes në rajon.
“Ndikimi i Presidentit Trump ishte thelbësor në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë që shumë e konsideronin të pamundur. Presidenti Trump ndërmori gjithashtu veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit dhe për të siguruar që shteti më i madh sponsor i terrorizmit në botë të mbetet i paaftë për të siguruar një armë bërthamore”, shkruan Carter në letrën e tij.
Ai shtoi gjithashtu se lidershipi i Trump gjatë krizës “shëmbullon pikërisht idealet që Çmimi Nobel për Paqen kërkon të njohë: ndjekjen e paqes, parandalimin e luftës dhe avancimin e harmonisë ndërkombëtare. Në një rajon të pllakosur nga armiqësia historike dhe paqëndrueshmëria politike, një përparim i tillë kërkon si guxim ashtu edhe qartësi.”






