Ai mbërriti nga Afganistani në Bullgari, ku edhe regjistroi kërkesën për azil. Në vitin 2022, erdhi në Gjermani përmes kufijve të hapur të BE-së, ku u vendos në qytetin veriperëndimor bavarez Aschaffenburg. Të mërkurën e kaluar, i riu 28 vjeçar, hyri në një park në qendër të qytetit ku qëlloi me thikë për vdekje një djalë 2-vjeçar.
Plagosi 2 fëmijë të tjerë, dhe më pas vrau 41-vjeçarin që u përpoq ta ndalte. Ai u kap nga policia pas një ndjekje të shkurtër. Sulmi tronditës ka rindezur debatin mbi migracionin, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve federale të 23 shkurtit, dhe ka nxjerrë në pah dobësinë e elitave të saj politike. Lideri i opozitës së CDU dhe kandidati kryesor në garën për t’u bërë kancelar, Friedrich Merz, do të propozojë këtë javë ligje të reja për t’i dhënë fund përgjithmonë lëvizjes së lirë në të gjithë kufijtë e Gjermanisë. Tejet radikal në vetvete, një ndryshim i tillë do të sinjalizonte fundin e “murit politik”, ose Brandmauer, që partia e tij kishte ngritur kundër Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë.
Ky “mur”, është në fakt një premtim midis partive kryesore se s’do të kishte asnjë bashkëpunim me AfD në asnjë rrethanë. Pra asnjë koalicion, asnjë marrëveshje bashkëpunimi dhe asnjë nismë të përbashkët ligjore në nivel federal.
Më herët, CDU-ja e kishte refuzuar ofertën e bashkë-drejtueses së AfD, Alice Weidel për të votuar së bashku për një ndryshim në politikën e azilit, duke u angazhuar të distancohej nga
çdo ligj që do të kalonte vetëm me votat e AfD. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Merz thotë:”Nuk jam më i gatshëm të mos votoj gjënë e duhur në Bundestagun gjerman, vetëm pse me të janë dakord edhe njerëzit e gabuar”.
Më pas ai shkoi edhe më tej, duke bërë një premtim tjetër. Duke i referuar Trump, tha se nëse zgjidhet kancelar, do të firmosë një urdhër ekzekutiv që në ditën e tij të parë në detyrë për të rivendosur kontrollet kufitare. Gjithsesi, kancelarët gjermanë nuk janë aq të pushtetshëm sa presidentët amerikanë.
Sistemi proporcional, nënkupton se ata duhet të hyjnë në koalicion me partitë e tjera. Dhe nuk ka të ngjarë që partnerët e tij potencialë centristë të pranojnë një urdhër të tillë ekzekutiv, pasi koalicioni do të prishej që ditën e parë. Ndaj udhëheqësi i CDU-së, ngriti një “mur” të ri, këtë herë kundër partive të tjera.
Ekzistojnë 2 skenarë, në të cilët ai mund të zbatojë atë që premton: ose do fitojë një shumicë absolute, të cilën nuk e parashikon asnjë sondazh në vend, ose do të bashkëpunojë me AfD-në. Edhe pse në dukje një debat lokal mbi migracionin, ai ka në fakt pasoja të rëndësishme për projektin e BE-së në tërësi.
Sepse nëse Merz do të rivendosë kontrollet kufitare, kjo do t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë sistemit të udhëtimit pa pasaporta të BE-së, Shengen, një nga arritjet e rëndësishme të integrimit, së bashku me euron dhe tregun e përbashkët.
Nëse Gjermania do të rikthente kontrollet e pasaportave për të frenuar hyrjen e refugjatëve, të gjithë fqinjët e saj të afërt dhe të largët, do të duhej të bënin të njëjtën gjë, sepse askush nuk dëshiron të merret me qindra mijëra refugjatë të refuzuar nga të tjerët. Shengeni, që përfshin 29 vende evropiane, do të shembej brenda disa orëve.
Për të zgjidhur problemin e emigrantëve të paligjshëm, do të duhej një politikë evropiane e migracionit plotësisht funksionale. Gjë që s’ka as shanse të ndodhë. Prandaj për BE-në, kjo do të ishte edhe më e keqe se Brexit, pasi do të shënonte hapin e parë drejt shpërbërjes së gjithë projektit të BE-së.
Friedrich Merz është një politikan impulsiv me shumë ide të mira. Ai kryeson bindshëm në sondazhe, sidomos për qasjen ndaj sigurisë kombëtare dhe ekonomisë. Dhe është i vetmi politikan i lartë gjerman që e kupton se është prishur modeli ekonomik i vendit të tij.
Një kritik i proteksionizmit dixhital të Gjermanisë, ai zotëron më mirë çdo bashkëmoshatar i tij teknologjitë e shekullit XXI-të. Por tani askush nuk po flet për idetë e tij për transformimin ekonomik dhe inovacionin. Të gjithë po flasin për migracionin.
Votuesit e dinë se duke pasur parasysh sistemin proporcional rajonal, partitë mund të premtojnë çfarë të duan, por ato që vendosin janë koalicionet. Po ashtu, e dinë se Merz do të hyjë thuajse me siguri në një koalicion me një parti centriste, si Socialdemokratët apo të Gjelbërit, asnjëra prej të cilave nuk mbështet kontrollet kufitare të përhershme.
Nëse sondazhet aktuale janë të sakta, CDU do të detyrohet të qeverisë të paktën me njërin prej tyre, ose ndoshta me të dyja. Sa më shumë parti, aq më të vështira do të jenë bisedimet për koalicionin, dhe aq më pak do të jetë në gjendje të zbatohet axhenda e Merz.
Në politikë, ka momente kur politikanët duhet të ndërmarrin rreziqe të mëdha. Por kjo nuk është njëra prej tyre. Do të mjaftonte që ai të premtonte një rishikim të politikave të migracionit. Por kur krijoni politika mbi qasje të tilla, njerëzit janë të detyruar të vënë në dyshim sinqeritetin tuaj.
Sepse, vetëm pak më shumë se një javë më parë ai tha në një tubim elektoral se “për Gjermaninë mjafton një 1933”. Ishte një referencë për vitin kur Hitleri u ngjit në pushtet, dhe në thelb Merz po e krahasonte AfD-në me nazistët. Deri të mërkurën e kaluar, “muri” i ishte një kupole qiellore të politikës gjermane.
Sot, njerëzit nuk janë më të sigurt nëse ai ekziston ende. Austria sapo na tregoi se sa shpejt mund të shkërmoqet një “mur” i tillë. Partia Popullore Austriake e qendrës së djathtë, kishte një pengesë të tillë kundër Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë, fituese e zgjedhjeve vitin e kaluar.
Ish-kancelari austriak dhe lideri i Partisë Popullore, Karl Nehammer, donte të negocionte një “koalicion humbësish” me socialdemokratët dhe me një parti të vogël liberale. Por negociatat dështuan sepse Nehammer, ashtu si Merz, këmbënguli që politikat e imigracionit që ishin më të ashpra nga sa mund ta pranonin centristët.
Pasi bisedimet dështuan në fillim të këtij muaji, Nehammer dha dorëheqjen si kancelar dhe kryetar partie. Tani partia e tij ka rënë dakord të rrëzojë “murin” dhe të krijojë një koalicion me Partinë e Lirisë. Udhëheqësi i saj, Herbert Kickl, do të bëhet kancelari i ardhshëm. Ajo që ndodhi në Austri është se u përplasën dy linjat e kuqe konkurruese.
Nëse Merz do të përfundojë në pozitën kur do t’i duheshin si SPD ashtu edhe të Gjelbërit për të formuar një koalicion, nuk ka asnjë mënyrë se si të zbatojë politikat e tij mbi migracionin. Nëse si në Austri, negociatat do të përfundojnë pa marrëveshje, atëherë e vetmja mundësi do të ishte që CDU të formonte një koalicion me AfD, ose një qeveri të pakicës me mbështetjen e AfD.
Me shumë mundësi, Merz do të gëlltisë fjalët e tij, dhe të krijojë një tjetër koalicion centrist me të njëjtat parti të vjetra dhe të njëjtat politika të vjetra që dështuan në të kaluarën. Në këtë skenar, AfD do të bëhej partia kryesore opozitare, me një shans të madh për të fituar zgjedhjet e vitit 2029. Weidel do të kishte një shans të mirë për t’u bërë kancelari i ardhshëm. Në të dy skenarët AfD del e fituar.








