Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 163 mijë e 644 euro gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të këtij viti, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për këtë periudhë, LDK kishte në dispozicion 163 mijë e 869 euro. Nga kjo shumë, partisë i kanë mbetur të pashpenzuara vetëm 224 euro.
Pjesa më e madhe e parave ka shkuar për paga dhe kontribute të punëtorëve. Për këtë kategori, LDK ka shpenzuar 107 mijë e 50 euro.
Ndërkaq, për mallra dhe shërbime, partia ka shpenzuar 54 mijë e 349 euro. Në këtë kategori përfshihen qiratë e ndërtesave, furnizimet për zyre, karburantet, shërbimet e ndryshme dhe shpenzimet për informim publik.
Vetëm për qira të ndërtesave, LDK ka paguar 20 mijë e 456 euro gjatë tre muajve. Për furnizime të tjera dhe mallra e shërbime janë shpenzuar 10 mijë e 695 euro, ndërsa 8 mijë e 500 euro janë raportuar për shërbime të tjera kontraktuese.
Për karburante të veturave, partia ka shpenzuar 5 mijë e 731 euro, ndërsa për informim publik 4 mijë e 932 euro.
Shpenzimet e LDK-së përfshijnë edhe 2 mijë e 244 euro për shërbime komunale dhe 259 euro për shpenzime kapitale.
Sa i përket ndarjes mujore, korriku ishte muaji me shpenzimet më të larta, me 78 mijë e 779 euro. Në gusht, partia shpenzoi 76 mijë e 179 euro, ndërsa në shtator shpenzimet ranë në 8 mijë e 686 euro.
Të dhënat janë pjesë e raportit financiar të LDK-së për tremujorin e tretë të vitit 2026, të publikuar pranë KQZ-së./
Raportin e plotë e gjeni KËTU:








