Shkruan: Hisen Berisha
(Historia na mëson se tradhtia nuk shpallet kurrë si e tillë në momentin që ndodh.)
“Shkoj n’Paris me shit Shqipnin” nuk ishte vetëm një varg. Ishte një aktakuzë historike që prodhoi një akt ekstrem, eliminimin politik të një figure që u shpall tradhtar. Historia shqiptare ka qenë gjithmonë e pamëshirshme ndaj atyre që perceptohen se negociojnë mbi fatin kombëtar jashtë transparencës dhe mbi kurrizin e sakrificës kolektive.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, hija e asaj akuze rikthehet në një formë tjetër, jo me armë, por me marrëveshje të dyshimta, jo me deklarime publike, por me mungesë transparence, jo me pushtim klasik, por me devijim strategjik.
Vizita e Kryeministrit në Paris nuk është një takim rutinë diplomatik. Është një akt me peshë të rëndë politike, që vjen në një moment kur Kosova nuk është në vakum historik, por në një arkitekturë të konsoliduar ndërkombëtare të shtetësisë së saj. Një shtet i ndërtuar mbi sakrificë, luftë, ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare dhe mbi një seri marrëveshjesh që kanë formësuar identitetin juridik e politik të Republikës.
Kosova nuk është më në vitin 1913. Nuk është një territor që pret njohje, por një shtet që ka garanci sigurie nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe mbështetje strategjike nga fuqia kryesore globale. Çdo devijim nga kjo bosht strategjik nuk është thjesht gabim politik, është rrezik ekzistencial.
Në këtë kontekst, heshtja e plotë institucionale për agjendën e takimit në Paris është alarmante. As Kuvendi, as opinioni publik nuk janë informuar për përmbajtjen reale të diskutimeve. Ky nuk është vetëm problem procedural, është cenim i sovranitetit demokratik.
Ndërkohë, paradoksi bëhet më i thellë kur agjenda e takimit bëhet publike jo nga institucionet e Kosovës, por nga Presidenti i Serbisë. Deklaratat e tij, përtej propagandës, hedhin dritë mbi një realitet të errët, pra, një qeveri që nuk kontrollon narrativën e vet dhe një shtet që rrezikon të negociohet përmes kanaleve të tjera.
Pretendimet se ekzistojnë informacione të detajuara për kërkesat që do të parashtrohen në Paris, përfshirë çështje të sigurisë dhe rikonfigurimit të prezencës ndërkombëtare në veri, janë jashtëzakonisht serioze. Ato përbëjnë një devijim të rrezikshëm nga arkitektura e sigurisë që garanton ekzistencën e Kosovës. Kurse, mungesa e reagimit dhe transparencës i bën ato edhe më të besueshme.
Nga ana tjetër, qëndrimet e Presidentit francez për “kompromis të tipit greko-maqedon” nuk janë thjesht sugjerime diplomatike. Ato përfaqësojnë një qasje që relativizon procesin unik të shtetformimit të Kosovës dhe tenton ta fusë atë në modele që nuk i përkasin realitetit të saj historik dhe juridik.
Një marrëveshje e re, e ndërtuar mbi analogji të tilla, do të ishte një regres strategjik. Kosova nuk ka nevojë për një “Prespë të re”. Ajo ka nevojë për përmbyllje të procesit të saj shtetëror me njohje reciproke dhe konsolidim ndërkombëtar, jo për rinegocim të identitetit të saj.
Në këtë sfond, bëhet gjithnjë e më e qartë se kemi të bëjmë me një zhvendosje të boshtit politik të vendit. Një largim gradual nga aleanca strategjike që e solli lirinë dhe pavarësinë, dhe një afrim drejt një qasjeje evropiane që historikisht ka qenë e ndikuar nga interesa energjetike dhe kalkulime që shpesh kanë favorizuar stabilitetin mbi drejtësinë.
Kjo nuk është thjesht një zgjedhje politike. Është një rreshtim gjeostrategjik.
Dhe pikërisht këtu lind dyshimi më i madh se, a kemi të bëjmë me një projekt të vetëdijshëm politik që synon të rikonfigurojë orientimin strategjik të Kosovës? Një projekt që e sheh distancimin nga aleati kryesor si “balancim”, por që në thelb prodhon dobësim?
Historia na mëson se tradhtia nuk shpallet kurrë si e tillë në momentin që ndodh. Ajo maskohet si kompromis, si realizëm politik, si nevojë për paqe. Por dallimi midis kompromisit dhe dorëzimit qëndron në transparencë dhe në interesin që mbrohet.
Kur mungon transparenca, kur agjenda mbahet e fshehtë, kur informacioni rrjedh nga kundërshtarët dhe jo nga institucionet, atëherë dyshimi nuk është më retorikë. Është detyrim.
Kosova nuk është produkt i negociatave të fshehta. Është rezultat i një përpjekjeje të hapur, të mbështetur dhe të garantuar ndërkombëtarisht. Çdo përpjekje për ta rikthyer atë në tavolina të errëta, pa mandat dhe pa llogaridhënie, është një hap prapa.
Dhe në histori, hapat prapa nuk kanë qenë kurrë pa pasoja.









