Xhudistët e Kosovës i kanë nisur sot, e shtunë, garat në Grand Slamin e Parisit, ku shumica e tyre shënuan fitore në përballjet e para.
E para që hyri në garë ishte xhudistja Fationa Kasapi, e cila në kategorinë deri në 52 kilogramë fitoi me “Yuko” ndaj francezes Blandine Pont.
Fitore shënoi edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, duke mposhtur në xhiron e parë xhudisten franceze Marine Gilly.
Edhe Akil Gjakova filloi paraqitjen me sukses, teksa në kategorinë deri në 73 kilogramë mposhti Otari Kvatidze nga Portugalia.
Ndërsa, e pafat ishte Flaka Loxha, e cila pësoi humbje në xhiron e parë në kategorinë deri në 57 kilogramë, duke u mposhtur nga britanikja Acelya Toprak.
Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu do t’i fillojnë garat më vonë.
Spektakli botëror i xhudos zhvillohet në Paris më 7 dhe 8 shkurt dhe i përfshin 499 garues nga 80 shtete, ku Kosova synon sërish podiumin.








