Në klimën e tensionuar pas sulmeve të befasishme të Izraelit mbi objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, regjimi i Teheranit po kalon në një gjendje paranoje të thelluar, duke parë kudo “trazira izraelite” dhe agjentë të Mossad. Një fushatë e gjerë propagandistike ka nisur për të mobilizuar popullatën kundër çdo sjelljeje të dyshimtë.
Një poster i publikuar nga Nour News, media e lidhur me aparatin e sigurisë iraniane, u bën thirrje qytetarëve të raportojnë individë që mbajnë “maskë, kapele dhe syze dielli, edhe natën”, si dhe ata që marrin shpesh paketa me korrier. Ndër sinjalet e dyshimta që u kërkohet njerëzve të raportojnë përfshihen “tinguj të pazakontë nga brenda shtëpisë, si britma, zhurma metalike apo goditje të vazhdueshme” dhe “banesa me perde të tërhequra edhe gjatë ditës”.
Një tjetër poster nga policia, i shpërndarë në media shtetërore, këshillon pronarët që sapo kanë dhënë shtëpi me qira të lajmërojnë menjëherë autoritetet. Gazetarët brenda Iranit kanë pohuar për CNN se aktualisht u ndalohet të fotografojnë në rrugë.
Kjo fushatë e frikës vjen në një moment të pasigurt për regjimin iranian, i cili ndodhet i izoluar dhe i tronditur nga protestat masive që kanë shpërthyer në vitet e fundit, veçanërisht pas vrasjes së Mahsa Amini nga “policia e moralit”.
Njësitë e milicisë Basij, krahu paramilitar i Gardës Revolucionare Islamike, janë aktivizuar në patrullime të natës për të shtuar survejimin në kryeqytet dhe në qytete të tjera, si përgjigje ndaj infiltrimit të raportuar izraelit. Shefi i policisë iraniane, Ahmad-Reza Radan, përmes një deklarate video u bëri thirrje “tradhëtarëve” të dorëzohen, duke sugjeruar se mund të trajtohen me mëshirë nëse bashkëpunojnë, përndryshe do të “ndëshkohen ashpër, ashtu siç po ndëshkohet armiku sionist tani”.
Kreu i sistemit gjyqësor iranian, Gholam-Hossein Mohseni-Eje’i, ka kërkuar dënime të menjëhershme për çdo person të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, duke theksuar se në “këto kushte lufte, gjithçka duhet të procedohet me shpejtësi”.
Ky alarm i brendshëm vjen në të njëjtën kohë me raportet e reja nga zyrtarë izraelitë që thonë se Mossad ka futur armë precize në territorin iranian, ka ngritur bazë për nisjen e dronëve vetëvrasës dhe ka goditur objektiva strategjikë, përfshirë lëshues raketash afër Teheranit dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, duke hapur rrugën për mbi 100 sulme ajrore të koordinuara me më shumë se 200 avionë.
Sipas mediave iraniane, autoritetet kanë kapur pajisje të përdorura gjatë operacionit, përfshirë rreth 200 kilogramë eksplozivë, disa dronë vetëvrasës, lëshues dhe komponentë për ndërtimin e tyre në qytetin Rey, në provincën e Teheranit. Agjencia shtetërore Fars publikoi një video që tregon një godinë me pjesë dronësh dhe pajisje të tjera.
Ndërsa struktura të tëra të sigurisë janë në alarm, një gjë është e qartë: operacioni i Mossad jo vetëm që ka tronditur mbrojtjen fizike të Iranit, por ka shpërthyer edhe një krizë të thellë psikologjike brenda vetë sistemit të regjimit.






