Më lejoni të sqaroj menjëherë çdo lloj keqkuptim: Unë do të doja absolutisht të shihja, siç shpresoj edhe të gjithë lexuesit, dhe sigurisht të gjithë ukrainasit, një armëpushim të qëndrueshëm në Ukrainë. Megjithatë, nuk besoj se paqja e vërtetë midis Rusisë dhe Ukrainës është në horizont.
Ajo do të vijë vetëm nëse dhe kur Moska të heqë dorë nga ambiciet e saj perandorake. Por jam pro një armëpushimi të qëndrueshëm. Dhe do të doja që ta shihja të ndodhte menjëherë. Por sërish dyshoj seriozisht se do të vijë së shpejti.
Ditët e fundit kemi parë një balet diplomatik, me misterin që rrethon pjesëmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin në bisedimet e Stambollit. Pasi hodhi i pari karremin e një negociate të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Ukrainës, a do ta kishte pranuar Putini sfidën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një përballje në Stamboll, ndoshta duke përfshirë edhe udhëheqësin amerikan Donald Trump?
Pati njerëz që e besuan. Me siguri do të kishte qenë një pranim mbresëlënës i dobësisë, në mos i humbjes, nga ana e Moskës. Angazhimi në negociata ballë për ballë me të ashtuquajturin nazist (hebre) si Zelensky, i konsideruar si udhëheqësi i paligjshëm i një vendi që nuk ekziston (Ukraina), do të kishte nënkuptuar pranimin e nënkuptuar se pas më shumë se 3 vite luftë, me rreth 800 mijë të vrarë dhe të plagosur, ushtria e famshme ruse nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë më shumë se 4 për qind të territorit ukrainas (14 e kishte pushtuar tashmë që në vitin 2014).
Sot Rusia po pushton shumë më pak territor sesa në marsin e vitit 2022, kur në javët e para të pushtimit kishte pushtuar pjesën më të madhe të rajoneve të Kharkivit dhe Khersonit dhe shumëkush druhej nga rënia e mundshme e Kievit.
Ishte pikërisht në atë mënyrë, me një armë të drejtuar në kokat ukrainasve, që Moska donte të “negocionte” dorëzimin e vendit pikërisht në Stamboll 3 vjet më parë. Dhe pikërisht këtë përshtypje do të donte të rikrijonte propaganda ruse, duke dërguar një delegacion negociator të nivelit të tretë në Stamboll, të kryesuar nga i njëjti negociator që ishte i pranishëm në metropolin turk në atë kohë.
Por Putini e di se të ulet me Zelenskyn sot për të negociuar një armëpushim, do të ishte një pengesë gjigante. Dhe Putini duket ende larg pranimit të realitetit. Prandaj, ai dëshiron të vazhdojë në një pozicion lufte, ende i bindur se mund të fitojë.
Aq shumë sa shërbimi sekret ukrainas, parashikon një ofensivë të re ruse në verë, e cila mund të vazhdojë deri në vjeshtë. Prandaj, lind pyetja se cili është kuptimi i baletit diplomatik të ditëve të fundit dhe atyre që do të vijnë.
Nëse Moska nuk dëshiron që t’i ujë armët tani, dhe Kievi e di këtë (dhe për këtë arsye e di se do të duhet të vazhdojë të mbrohet), cili është qëllimi i gjithë kësaj? Pikërisht sepse Moska dëshiron të vazhdojë luftën, ajo ka interes të blejë kohë. Prandaj synon të nxisë një negociatë teknike dhe të ndërlikuar.
Siç na e mësoi për fat të keq Procesi i Oslos në Lindjen e Mesme, ndonjëherë nuk ka asgjë më të dobishme për vazhdimin e një konflikti sesa një “proces paqeje” i mirë. Në veçanti, Putini dëshiron të sigurohet që në këtë kohë të fituar të ndodhin dy gjëra.
Nga njëra anë, dëshiron të shmangë hyrjen në fuqi të sanksioneve të reja, veçanërisht ato që prekin sektorët e energjisë dhe bankave, të cilat kërkojnë një koordinim BE-SHBA. Nga ana tjetër, synon të sigurohet që përçarja e mrekullueshme transatlantike (nga këndvështrimi i tij), e cila kohët e fundit u zhduk pikërisht për shkak të kërkesave të tij të tepërta ndaj Ukrainës, të thellohet përsëri. Dhe një negociatë e mirë dhe e zgjatur, mund ta lejojë të vrasë dy zogj me një gur.
Nga ana tjetër qëllimi i Kievit, është ta demaskojë këtë lojë makabre. Dhe Zelensky mund ta bëjë këtë vetëm duke qëndruar një hap përpara Putinit, duke parashikuar lëvizjet e tij dhe duke luajtur paraprakisht. Për momentin, ai po ia del mbanë, edhe falë mbështetjes së Koalicionit të Vullnetarëve në Evropë.
Por, duke pasur parasysh neverinë ideologjike të Trumpit ndaj tij, nuk do ta ketë të lehtë ta ruajë epërsinë. Më pak fjalë, mund të imagjinojmë se kthesat dhe përdredhjet diplomatike do të vazhdojnë në javët në vijim, por nuk do të kenë ndikim në terren.
Atëherë, kur do të ndodhë armëpushimi? Përgjigja e sinqertë, është se nuk e di. Mund të spekuloj vetëm se nëse do të lindin kushte të caktuara në muajt në vijim, Putini mund të detyrohet të pranojë realitetin, ndoshta drejt fundit të këtij viti.
Kushti i parë, është që nëse do të ketë një ofensivë të re ruse në muajt në vijim, ajo nuk do të jepte rezultate të mëdha. Është e parashikueshme që Moska të jetë në gjendje të pushtojë edhe pak më tepër territor, por nëse përparimi rus mbetet i kufizuar falë mbrojtjes ukrainase, siç ka qenë i kufizuar për 2 vite e gjysmë, ndoshta do të vijë koha kur Putin do të duhet të përballet me faktin se Ukraina është e pamposhtshme.
Megjithatë, nëse ofensiva ruse rezulton efektive, është e parashikueshme se do të rritet oreksi i tij. Kushti i dytë ka të bëjë me ekonominë ruse. Ne e dimë se, duke përjashtuar shifrat e fryra nga ekonomia e luftës, Rusia nuk po ecën mirë.
Por ashtu i njohim boshllëqet në sanksionet perëndimore, ndihmën kineze dhe çmimet e larta të naftës, që i kanë dhënë Moskës njëfarë shtyse për të vazhduar luftën. Çmimet tani kanë rënë ndjeshëm. Nëse ato mbeten të ulëta dhe nëse evropianët arrijnë të mbushin boshllëqet e sanksioneve, dhe ndoshta të vendosin kufizime më efektive, atëherë mund të ndryshojnë llogaritjet që bën Putin.
Është mirë të kënaqemi me mendimin magjik, se diplomacia e sotme mund të arrijë një armëpushim, dhe ndoshta edhe paqen në një kohë të shkurtër. Por përqendrimi tek kushtet që do ta bëjnë këtë të mundur në të ardhmen, nuk është vetëm një qasje më realiste; por mbi të gjitha më i dobishëm për qëllimin e arritjes së paqes.






