Një tjetër valë dhune ka tronditur Beogradin, duke rikthyer frikën e qytetarëve për sigurinë publike në Serbi.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, një person i armatosur ka hapur zjarr brenda një lokali në lagjen Višnjička Banja, duke vrarë një grua 51-vjeçare dhe duke plagosur pesë të tjerë, tre burra dhe dy gra. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një furgon të bardhë, ndërsa policia serbe ka shpallur aksionin e koduar “Vihor 3” për kapjen e tij.
Ngjarja shënon një tjetër episod dramatik në një seri të gjatë incidentesh me armë në Serbi, një vend që prej kohësh përballet me nivel alarmant të kriminalitetit të organizuar dhe të qarkullimit të lirë të armëve ilegale.
Pas masakrave të majit 2023, kur Serbia u trondit nga dy sulme të përgjakshme brenda 48 orëve, autoritetet kanë premtuar kontrolle më të rrepta dhe reforma në polici. Por realiteti i mbrëmjes së sotme tregon se shteti serb vazhdon të ketë boshllëqe serioze në sigurinë publike.
Ky atentat në zemër të kryeqytetit nuk është vetëm një akt kriminal i izoluar, por një simptomë e krizës më të gjerë të shtetit serb, ku lidhjet mes strukturave të krimit të organizuar dhe politikës shpesh përmenden nga raportet ndërkombëtare.
Serbia e Vuçiçit përpiqet të ruajë imazhin e “stabilitetit rajonal”, ndërkohë që vetë nuk arrin të garantojë jetën e qytetarëve të saj në mes të Beogradit.
Për rajonin, kjo ngjarje është një tjetër kujtesë se Serbia mbetet epiqendra e pasigurisë në Ballkan, me një shoqëri të militarizuar, me mijëra armë në qarkullim, dhe me një klimë politike që shpesh i ushqen tensionet në vend që t’i shuajë.








