Ministri Belg i Mbrojtjes, Theo Francken tha se dronë janë parë duke fluturuar mbi një bazë ushtarake belge pranë kufirit holandez gjatë tre netëve të fundit. Ai shtoi se dronët u panë disa herë mbi bazën ushtarake Kleine-Brogel, e cila strehon armë bërthamore ushtarake amerikane.
Ndërsa Rusia dyshohet gjerësisht se qëndron pas incidenteve të tjera të ngjashme në Evropë, ministri nuk pranoi të spekulojë se kush ishte përgjegjës.
“Hetimi është duke vazhduar”, tha ai.
Ai tha se fluturimet ndoqën një model të ngjashëm, me dronë të vegjël të dërguar fillimisht për të testuar frekuencat e radios përpara se të shiheshin dronë të mëdhenj “për vëzhgim dhe destabilizim”.
Francken tha se ata që janë përgjegjës për dronët po përpiqeshin të krijonin panik në Belgjikë. Ai shtoi se kjo nuk ishte punë amatorësh, ai tha se fluturimet me dronë duken si një operacion spiunazhi.
“Nga kush, nuk e di. Kam disa ide, por do të jem i kujdesshëm”, theksoi ai.
Kjo vjen pas një serie incidentesh me dronë mbi aeroportet evropiane në muajt e fundit. Aeroporti i Mynihut në Gjermani u detyrua të pezullonte operacionet dy herë brenda 24 orëve muajin e kaluar pas disa pamjeve të pakonfirmuara.
Dhe një numër dronësh u panë gjithashtu mbi aeroportet civile dhe instalimet ushtarake daneze dhe norvegjeze në shtator.








