Një video e publikuar të dielën nga grupi i aktivistëve medial “Suwayda 24” tregon momentin kur një punëtor shëndetësor dyshohet se është vrarë brenda një spitali në qytetin Sweida, në jug të Sirisë, nga persona të veshur me rroba ushtarake.
Pamjet datojnë më 16 korrik, në kohën kur shpërthyen përleshje të dhunshme mes militantëve të pakicës druze, grupeve fisnore dhe forcave qeveritare. Në video shihen disa burra të ulur në gjunjë, përballë të armatosurve. Njëri nga ta sulmohet, qëllohet me pushkë dhe më pas me pistoletë, duke u lënë i shtrirë në dysheme.
Një person i veshur me uniformë ku shkruhej “Forcat e Sigurisë së Brendshme” duket se po drejtonte veprimet e grupit të armatosur.
Një zyrtar qeveritar sirian, në kushte anonimiteti, ka deklaruar se sulmuesit nuk janë identifikuar ende dhe se hetimet janë në vazhdim për të kuptuar nëse ata janë pjesëtarë të forcave shtetërore apo të grupeve fisnore të armatosura.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Sirisë, në një deklaratë përmes agjencisë shtetërore SANA, ka bërë të ditur se Gjeneral Major Abdul Qader Al-Tahhan është caktuar për të mbikëqyrur hetimet.
“Ne e dënojmë këtë akt në termat më të fuqishëm dhe pohojmë se autorët do të mbahen përgjegjës dhe do të sillen para drejtësisë për ta marrë dënimin e tyre të drejtë, pavarësisht lidhjeve të tyre,” – thuhet në deklaratë.
Më herët, qeveria siriane kishte formuar një komision hetimor për dhunën sektare në jug të vendit, i cili pritet të publikojë raportin përfundimtar brenda tre muajve.










