Një vrasje me gjakftohtësi e regjistruar nga kamerat e sigurisë ka tronditur Turqinë, pasi një ish-president ekipi futbolli u ekzekutua teksa po darkonte në një lokal-restorant në periferi të Stambollit.
Viktima është Tuncay Meriç, 49 vjeç, ish-president i ekipit Alemdag Spor, i cili u qëllua me një plumb në kokë mbrëmjen e së mërkurës në zonën Çekmeköy.
Pamjet e sigurisë, tashmë të shpërndara në mediat turke, tregojnë autorin teksa i afrohet viktimës në qetësi, nxjerr armën nga brezi dhe e qëllon në kokë pa asnjë paralajmërim. Ngjarja ndodhi brenda pak sekondash, ndërsa klientët shpërthyen në panik dhe autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi arrestimin e autorit të dyshuar, një 17-vjeçar, i cili u kap në Edirne, pranë kufirit me Greqinë, teksa përpiqej të arratisej jashtë vendit.
Së bashku me të është arrestuar edhe një 64-vjeçar, i cili e kishte strehuar të dyshuarin në banesën e tij dhe kishte tentuar të ndihmonte arratisjen. Të dy ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet për motivet e ngjarjes vijojnë.
Një dëshmitar okular, i pranishëm në restorant në momentin e ngjarjes, e përshkroi skenën me tronditje:
“Isha ulur me miqtë. U ngrita për të shkuar në tualet dhe vura re që nuk po ndodhte asnjë debat. Papritmas, një burrë i ri në moshë ngriti armën dhe e qëlloi në kokë burrin që kishte pranë. Të gjithë filluan të vraponin, unë u shtriva përtokë.”










