Në një kohë kur shëndeti i qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut, situata në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri po bëhet gjithnjë e më alarmante.
Në një video të siguruar nga GazetaKosova.net, shihen shumë pacientë duke pritur, ndërsa mjekët nuk gjendet aty.
Pacientët, shumë prej të cilëve vijnë me urgjenca apo gjendje të rënda shëndetësore, po përballen me vonesa të gjata dhe mungesë të mjekëve në orarin zyrtar të punës.
Këtu dëgjohet teksa flasin pacientët dhe motrat medicionale në recepsion të cilat ishin aty.
Sipas dëshmitarëve dhe pacientëve që presin çdo ditë për të marrë trajtimin e nevojshëm, mjekët shpesh largohen për pauza jashtë orarit të përcaktuar, duke krijuar kaos dhe pakënaqësi të madhe.
Qytetarët, të cilët përpiqen të respektojnë rendin e tyre, mbesin të braktisur në korridoret e qendrës shëndetësore për orë të tëra, pa asnjë informacion se kur do të rikthehen mjekët për t’i trajtuar. Kjo situatë jo vetëm që është e papranueshme, por përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
Një sistem shëndetësor funksional duhet të garantojë që çdo pacient të marrë ndihmën e nevojshme në kohë, pa u përballur me neglizhencën apo mungesën e personelit mjekësor.

Praktikat e tilla të papërgjegjshme nuk janë vetëm një neglizhencë profesionale, por edhe një shkelje e të drejtës themelore të qytetarëve për kujdes shëndetësor.
Është e domosdoshme që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë menjëherë për të vënë rregull në këtë institucion shëndetësor.
Kërkohet një mbikëqyrje më e rreptë e pranisë së mjekëve në orarin e punës dhe vendosja e masave disiplinore për ata që nuk e respektojnë detyrën e tyre. Për më tepër, qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjigje të qarta nga drejtuesit e qendrës shëndetësore përse po ndodh kjo neglizhencë sistematike.
Shëndeti nuk pret, dhe as qytetarët nuk duhet të presin! Është koha që zëri i tyre të dëgjohet dhe që shërbimet shëndetësore të funksionojnë me përgjegjësinë dhe përkushtimin që kërkon detyra e shenjtë e mjekësisë. GazetaKosova.net






