Në gusht të vitit 2024, Sherife Alija u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, 73-vjeçari Idriz Alija. Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca.
Alija në Gjykatë shihet se nuk është në gjendjen më të mirë shëndetësore.
Ai dyshohet se më 6 gusht 2024, rreth orës 07:33 në rrugën e “Pejës” në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, afër semaforëve, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, me qëllim ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar.
Më tej, thuhet se me atë rast ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, ku përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj të mitur në rrugë duke ecur, i ka përcjellë nga prapa disa metra, e pasi të njëjtit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, nxjerr armën nga brezi e repetit e nga një distancë e afërt, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë, me ç’rast e dëmtuara rrëzohet në tokë, pastaj djali i saj i mitur tenton ta largojë të pandehurin nga ajo, por që Alija prapë shtie me armë zjarri disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e godet me forcë të madhe rreth 8-9 herë në kokë me kondak të armës së zjarrit derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën duke e hedhur në trotuar dhe ta shtrijnë për toke të pandehurin.
I dyshuari edhe më herët ka pasur mosmarrëveshje duke shkaktuar dhunë në familje, e për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale.
Po ashtu, thuhet se i pandehuri ka një të kaluar kriminale të evidentuar si i dyshuar për vepra të ndryshme penale në 38 raste.









