Pacolli reagon sërish pasi Granit Plava ia përmendi emrin në procesin gjyqësor të vrasjes së Liridona Ademajt: Emri im nuk është strehë për askënd

Ish-kryetari i AKR-së dhe ish-zyrtari i lartë shtetëror, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish lidhur me përmendjen e emrit të tij në procesin gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me rastin dhe duke akuzuar për keqpërdorim të emrit të tij.

Reagimi i tij i fundit vjen pasi gjatë seancës gjyqësore, i akuzuari Granit Plava deklaroi se kishte vepruar në marrëveshje me Naim Murselin dhe se, sipas tij, ky i fundit i kishte thënë se për rastin ishte në dijeni edhe Pacolli. Plava madje pretendoi se i ishte thënë se “nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, duke aluduar në mbështetje dhe ndikim.

Pacolli fillimisht i hodhi poshtë këto pretendime, duke reaguar shkurt për media me fjalët: “Njerëz të çmendur, shumë të çmendur”.

Ndërkaq, në reagimin e tij më të fundit publik, ai ka zgjedhur një ton më të gjatë dhe më të ashpër, duke theksuar se askush nuk mund të përdorë emrin e tij për të justifikuar veprime apo për të ndërtuar alibi.

“Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka theksuar se është distancuar prej kohësh nga individë dhe rrugë që nuk e përfaqësojnë, duke nënvizuar se ndihma që mund t’u ketë dhënë njerëzve në të kaluarën ka qenë thjesht njerëzore dhe nuk lidhet me zgjedhjet e tyre të mëvonshme.

“Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij”, ka deklaruar ai.

Pacolli ka kritikuar ashpër edhe ata që, sipas tij, harrojnë të mirat dhe më pas kthehen kundër atyre që i kanë ndihmuar, duke e cilësuar këtë si mungesë karakteri.

“Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti… kjo nuk është forcë, kjo është varfëri karakteri”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se heshtja e tij deri më tani nuk ka qenë shenjë frike, por zgjedhje për të mos rënë në nivelin e akuzave dhe insinuatave.

“Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi”, ka theksuar Pacolli, duke shtuar se nuk do të lejojë që emri i tij të përdoret për të “fshehur të vërtetën pas emrit të tjetrit”.

Në fund, ai ka përmbyllur reagimin me një mesazh më të përgjithshëm, duke theksuar se sjelljet e tilla nuk burojnë nga mungesa e përkrahjes, por nga vetë karakteri i individit.

“Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës”, ka përfunduar Pacolli.

Postimi i plotë: 

Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.

Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri.

Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij.

Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit.

Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.

Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit